Udhëzimi, mbetësit në lëndët me zgjedhje nuk humbin vitin
zirina llambroNxënësit e viteve të para në gjimnaze nuk do të quhen mbetës, nëse kanë rezultate jo kaluese në lëndët me zgjedhje. Këtë saktëson udhëzimi i Ministrisë së Arsimit. Ai është dërguar disa ditë më parë në të gjitha shkollat e vendit. Kështu, sipas udhëzimit, nëse një nxënës kalon në lëndët e detyrueshme,ai mund të mbartë për vitin që vjen lëndët me zgjedhje ku ka nota negative. “Në vitin e parë të gjimnazit siç dihet janë dy grupe lëndësh, ato bërthamë apo të detyrueshme që zënë 26 orë mësimore në javë dhe lëndët me zgjedhje. Këto të fundit, nxënësi i ndjek 4 orë në javë. Pikërisht për këtë grup ne kemi dërguar një udhëzim ku thuhet se, nëse nxënësi mbetet në ndonjërën nga këto lëndë me zgjedhje, por ndërkaq është kalues në të gjitha lëndët me detyrim, ai kalon klasën dhe këtë lëndë e mbart për vitin tjetër”, sqaroi për gazetën këshilltari i ministrit të Arsimit Jovan Kristiqi. Ai pohoi gjithashtu, për sa i përket lëndëve të detyrueshme, nxënësit do vlerësohen njëlloj. Nëse janë mbetës në një lëndë e mbartin për vjeshtë, nëse nuk kalojnë në tre lëndë atëherë duhet të përsërisin vitin. Ndërkohë që edhe për mungesat do të veprohet si më parë. “Nëse nxënësi mbush mungesat për 20% të lëndës në semestër, ai jep një provim shtesë në fund. Nëse gjatë gjithë vitit ka mungesa në masën 50% të orëve mësimore, atëherë lënda jepet sërish në vjeshtë, pra i jepet një tjetër mundësi nxënësit”, sqaroi këshilltari i ministrit. Ai këshilloi drejtuesit e shkollave të jenë më të vëmendshëm ndaj udhëzimeve dhe informacioneve të tjera që u dërgohen. “Duhet të jenë ata që të kuptojnë të parët këto informacione, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion me nxënësit”, tha Kristiqi. Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimit i ka propozuar disa kohë me parë Ministrisë së Arsimit, aplikimin e një formule të re në matjen e dijeve në fund të semestrit .Por specialistët e MASH, pas konsultimeve të kryera, e kanë cilësuar formulën “të ngatërruar” dhe kanë konkluduar se momentalisht ajo nuk mund të zbatohet.“Matura, rregullorja gati brenda shkurtit”Ndryshimet në maturën shtetërore të këtij viti do të jenë fare të vogla. Këtë bëjnë me dije burime nga Ministria e Arsimit. Sipas tyre, në javën e parë të shkurtit do të jetë gati edhe guida për nxënësit. Në të përcaktohen rregullat e provimit, mënyra se si duhen plotësuar tezat, përqindja e pyetjeve me zgjedhje dhe me zhvillim, ato çka nuk duhet të bëjë maturanti gjatë provimit, të drejtat e tij dhe detaje të tjera, që përbëjnë në vetvete mekanizmin funksionues të Maturës Shtetërore. Rregullorja bëhet publike në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Ndërkohë, pas pak ditësh, Ministria e Arsimit do të bëjë publike edhe programet orientuese për të gjitha lëndët që mund të jepen provim në Maturën Shtetërore. Këto programe orientuese përmbajnë të gjitha mësimet, nga ku mund të ketë pyetje në provimet e detyruara, ose ato me zgjedhje të maturës, si edhe kapitujt që nuk do të jenë pjesë e provimeve .Brenda muajit shkurt do të shpërndahet dhe do të nisë plotësimi i formularit A1. Formulari nuk pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në krahasim me vitet e kaluara të maturës dhe do të plotësohet nga maturantët, në bazë të guidës që është vendosur në Rregulloren e Maturës Shtetërore, që do të publikohet ditët në vijim.