Zbardhet mesazhi, si u orientua votimi për Këshillin Kombëtar të PD-së
Delegatët e Kuvendit janë mësuar për kë të votojnë nëpërmjet SMS-ve. Fushatë kundër Biberajt, Imamit, Bashës, Bogdanit, Bregut dhe Oketës
Eljona Ballhysa
Delegatët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, që u mbajt më 14 dhjetor, kanë marrë një mesazh në telefonat e tyre nëpërmjet të cilit janë orientuar për kë të votojnë për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Gazeta “Albania” ka arritur të zbardhë përmbajtjen e mesazhit orientues që kanë marrë një numër i madh delegatësh të Kuvendit të PD-së. Mesazhi përmban thirrjen për të votuar fillimisht për lidershipin e partisë, kryetarin, nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm. Më pas vijnë ministrat që njihen për mbështetjen që gëzojnë nga lidershipi i partisë, deputetët dhe anëtarët e Forumit të Gruas Demokratike, anëtarët e Forumit Rinor të PD-së dhe emrat e përfaqësuesve të PD-së në rrethe të ndryshme të vendit. Pra mesazhi është i detajuar dhe delegatët e kishin të vështirë të gabonin gjatë procesit të votimit. Madje, burimet bëjnë të ditur se përveç mesazhit ata kanë marrë porosi gojore për të mos votuar për disa deputetë të tjerë të PD-së, apo ish-anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Mesazhi
“Votoni: Berisha, Topalli, Patozi, Bode, Nishani nr.16, Olldashi nr. 8, Gjana nr. 11, Paloka nr.12, Rusmali nr.13, Spaho nr.14, Noka nr.19, Strazimiri nr.20, Vokshi nr. 22, Doda nr. 29, Mëhilli nr. 30, Kasmi nr. 31, Trashani nr. 34, Halimi nr.36, Skuqi nr. 49, Gumi nr. 63, Rushaj nr. 65, Spahia nr. 67, Harxhi nr.68, Bozdo nr. 69, Tabaku nr. 71, Qiriako nr. 85. 15 gratë e para të LDGSH-së, 6 të parat të FRPD-së, 8 të parat te qarku i Tiranës, 3 të parat tek Shkodra, 5 të parat te Durrësi, 2 të parat të Elbasani, 2 të parat te Vlora, 2 të parat te Dibra”. Kjo është përmbajtja e mesazhit që kanë marrë një numër i madh i delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD-së. Dhe nëse nisesh nga rezultati i procesit të votimit duket se mesazhi ka goditur në shenjë. Delegatët duket se e kanë zbatuar më së miri porosinë e partisë duke votuar ashtu sikurse paraqitet edhe në mesazh. Vendin e parë e zë, pa dyshim, kryetari i partisë, që ndiqet nga kryetarja e Kuvendit, Topalli, nga kryetari i Grupit Parlamentar, Patozi, nga sekretari i Përgjithshëm Bode dhe nga ministrat e tjerë të rëndësishëm të qeverisë. Duket se delegatët e Kuvendit kanë qenë shumë të kujdesshëm gjatë procesit të votimit, duke arritur të votojnë në atë mënyrë që nuk shkakton xhelozi në radhët e lidershipit të partisë.
Porosia
Po kështu, burimet nga Kuvendi i Kombëtar i Partisë Demokratike kanë bërë të ditur për gazetën se kanë marrë porosi që të mos votojnë për disa deputetë apo ish-anëtarë të Këshillit Kombëtar. Porosia ka qenë e qartë dhe është dhënë gojarisht në rrethe të ngushta që të mos votohet për Biberajn, Oketën, Bashën, Bregun, Pollon, Imamin dhe Bogdanin. Dhe sërish, nëse i referohemi listës së votave, Imami, Basha, Bregu, Pollo, Oketa e Bogdani kanë një renditje jo të kënaqshme. Ata nuk ndodhen në vendet e para, megjithëse disa prej tyre janë ministra dhe Oketa ish-ministër. Ndërsa Biberaj nuk figuron fare në listën e fituesve, madje nuk dihet as sa ka qenë numri i votave që ai ka marrë.
28 Dhjetor 2009