Drafti i BE për imunitetet, qeveria kundër ndryshimeve kushtetuese
Politika shqiptare shfaqet e bashkuar rreth nevojës për heqjen e imuniteteve, por sërish e ndarë sa i përket hedhjes së këtij hapi, përmes ndryshimeve kushtetuese. Pas prezantimit të draftit nga misioni i BE-së, EURALIUS, që parashikon kufizimin e imunitetit për deputetët, sistemin gjyqësor dhe atë ekzekutiv, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi u shpreh qartazi kundër ndërhyrjeve në Kushtetutë, për të realizuar heqjen e imunitetit. Ndryshe nga kolegu i tij i PD-së, Ilir Rusmali, që la të hapur mundësinë e ndryshimeve kushtetuese për këtë çështje, Halimi tha se: “Zgjidhja e kufizimit të imunitetit nuk duhet të vijë përmes rrugëve dhe zgjidhjeve të vështira, siç janë ndryshimet kushtetuese, por nëpërmjet rrugëve efikase ligjore, ashtu siç rekomandon Komisioni i Venecias”. Ministri Halimi ka shtuar më tej se qeveria shikon si rrugë të heqjes dhe kufizimit të imunitetit për një sërë zyrtarësh jo ndryshimet kushtetuese, por ligjin e përgatitur nga mazhoranca disa vite më parë, për të cilin është shprehur më vonë dhe Komisioni i Venecias. “Mazhoranca ka bërë një hap të madh në lidhje me reformën në imunitete, e ka bërë e bindur se modeli është në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e ekspertizës më të mirë europiane. Komisioni i Venecias ka vlerësuar se imuniteti nuk është privilegj personal i individit. Nismat për reformimin mund të realizohen edhe pa ndryshime kushtetuese”, - është shprehur Halimi. Ndërsa Ilir Rusmali, në cilësinë e kryetarit të komisionit të Ligjeve dhe përfaqësues politik i PD-së, është shprehur se mazhoranca mund ta hedhë që të nesërmen për votim këtë draft, por sipas tij, opozita do të vazhdonte të mos votonte. Rusmali më tej ka thënë se drafti i prezantuar nga ekspertët e EURALIUS dhe PACA, në fakt mund t’i shërbejë status-quo-së së synuar nga opozita, e cila kërkon ndryshimet në Kushtetutë, bazuar në strategjinë e saj për të futur në kurth politik procesin. “Ajo që ne paralajmërojmë me forcë është kurthi permanent që kundërshtarët e heqjes së imuniteteve vendosin gjithmonë, sa herë diskutohet. Pra, kundërshtarët e heqjes së imuniteteve janë gjithmonë dakord që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese. Por nuk japin kurrë votën për ndryshimet kushtetuese”, - është shprehur dje Rusmali. Pasi ka mbajtur këtë qëndrim, Rusmali është pyetur për së dyti nga përfaqësuesit ndërkombëtarë nëse mazhoranca do të votonte këtë draft dhe ai ka pohuar në mënyrë të qartë se mazhoranca ishte e gatshme ta votonte ndryshimin kushtetues për imunitetet që prej 12 vitesh, e megjithatë, e ka cilësuar këtë draft si instrument në dorën e opozitës, duke thënë se kjo punë nuk mund të bëhet veçse me ndryshime kushtetuese. E njëjta pyetje i është drejtuar nga përfaqësuesit e EURALIUS-it edhe deputetit Fatmir Xhafaj, i cili tha se PS është pro kufizimit të imunitetit përmes ndryshimeve kushtetuese.
Majko: PD kërkoi e
para heqjen e imunitetit
“Në procedurë, unë do i jepja të drejtë kolegut Rusmaili, pavarësisht çfarë u tha dhe si u tha nga ai. Mendoj që fillimisht ka qenë pikërisht PD-ja ajo që ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe fillimisht rezerva ka qenë nga ana e PS-së. Mendoj se këto këmbime pozicionesh në thelb paraqesin problemin e mosbesimeve që ekzistojnë nga palët prej kohësh. Me këtë dua të them që dhe zoti Xhafaj e sqaroi dhe e tha qartë që përgjigja e opozitës është e prerë: Po, kemi vullnet për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit”.
Dvorani: Kushtetuta,
garanci për zyrtarët
“Kushtetuta e ligji duhet të ofrojnë garancitë mbi paprekshmërinë e personit, zyrës dhe të banesës. Duhet përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe të detajohet me norma proceduriale të hollësishme dhe ezauruese që kufizimi i lirisë së gjyqtarit, përjashtuar gjendjes së flagrancës për krimet, nuk mund të aplikohet paraprakisht, por duhet të vendoset vetëm pas pëlqimit a miratimit të organit kompetent. Po kështu, kontrolli fizik, i zyrës dhe i banesës së gjyqtarit duhet të lejohen vetëm mbi disa garanci e procedura të parashikuara hollësisht nga ligji”.
Ina Rama: Gjyqtarët, regjim
të ngjashëm me deputetët
“Jemi plotësisht dakord me propozimin e paraqitur në material, që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të përfitojnë nga imuniteti i përgjithshëm, por nga një regjim procedural i ngjashëm me atë që iu jepet deputetëve. Kjo lloj zgjidhjeje kërkon ndryshime kushtetuese dhe ndryshime në ligjin organik për Gjykatën Kushtetuese. Duhet të parashikohet shprehimisht në ligj e drejta e gjykatës për të dhënë masën e arrestit ose kontrollit dhe ndalimi për ta ekzekutuar deri sa të shprehet Kuvendi në lidhje me këto masa”.
Topi: Imuniteti, mburojë
ndaj hetimit për shkeljet
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pohuar se ka ardhur momenti që Shqipëria t’i japë zgjidhje çështjes së imuniteteve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar dje në konferencën për “Ndryshimet ligjore mbi imunitetin e zyrtarëve”, se ka ardhur momenti që palët në Shqipëri t’i japin zgjidhje çështjes së imuniteteve dhe të ndërmarrin hapa konkretë në konkludimin e kësaj reforme që zgjat më shumë se një dekadë. Presidenti ka vënë indirekt theksin tek disa pengesa që rrjedhin nga kërkesat e Kushtetutës aktuale, e cila vë automatikisht në dijeni shumë institucione kur nisin hetimet mbi një zyrtar. “Kërkesa kushtetuese për dhënien e autorizimit nga institucionet përkatëse për hetimin e një zyrtari, bën që sekretet hetimore të vihen në dispozicion të shumë individëve. Në momentin kur zyrtari për të cilin kërkohet heqja e imunitetit vihet në dijeni, pa filluar ndjekja penale, për të gjitha provat në ngarkim të tij, kjo padyshim do të cenonte dhe dobësonte hetimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të këtij zyrtari”, - është shprehur dje Presidenti. Sipas kreut të shtetit, zyrtarët e lartë shpesh e kanë përdorur imunitetin jo si një mjet të dhënë nga Kushtetuta për të garantuar kontributin e tyre në shoqëri, por si një mburojë ndaj hetimit dhe ndjekjes penale për shkeljet e kryera prej tyre.