Zbardhet procedura për vizat
Erald Kapri
Zbardhet procedura e plotë për liberalizimin e vizave me qytetarët shqiptarë. Misioni i fundit i ekspertëve të Komisionit Europian do të vizitojë Tiranën në javën e parë të muajit korrik për të parë realizimin e 3 kushteve për Shqipërinë. Burime diplomatike bëjnë me dije se grupi i ekspertëve do të qëndrojë në Shqipëri vetëm 24 orë, nga ku do të marrë informacionet e fundit mbi realizimin e kritereve. Sipas të njëjtave burimeve, Komisioni Europian do të hartojë më pas raportin përfundimtar për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ku do ta paraqesë për miratimin në Parlamentin Europian si dhe në institucionin më të lartë të Bashkimit Europian, në Këshill. Procedura e konfirmuar jep tri data për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, por autoritetet diplomatike shqiptare presin që në datën 8 nëntor, në mbledhjen e përcaktuar të Këshillit të BE-së, të merret vendimi për liberalizimin e vizave, e pas 20 ditës pas botimit në fletoren zyrtare, shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm në hapësirën Shengen. Kështu, kjo procedurë përcakton ditët 28 ose 29 nëntor (festat kombëtare) si fillimin e udhëtimeve pa vizë në 25 vendet e zonës Shengen.
Procedura
Ekspertët e Komisionit Europian do të verifikojnë në fillim të muajit korrik 3 kriteret e fundit për Shqipërinë. Ekspertët do të verifikojnë se sa janë mbështetur strukturat përkatëse me burime financiare dhe njerëzore për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pasi misioni të bëjë verifikimin, do hartojë raportin e tij, i cili do t'i shkojë Komisionit Europian. Mësohet se Komisioni Europian do të hartojë më pas raportin përfundimtar, ku do të vendosë në dijeni të 27 vendet anëtarë në lidhje me zbatimin e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave.
Procedura më pas nis në muajin shtator, kohë kur fillon punimet Parlamenti Europian. Sipas Traktatit të Lisbonës, Parlamenti ka fuqi vendimmarrëse, çka duhet të votojë raportin e Komisionit Europian për heqjen ose jo të vizave me Shqipërinë. Eurodeputetja Tanja Fajon do të jetë sërish raportuesja për vizat në PE. Parlamenti do të shqyrtojë dhe diskutojë raportin në dy komisionet e tij, në atë të punëve të brendshme dhe të jashtme, e më pas në fund të muajit shator ose në muajin tetor, në varësi të diskutimeve, do të kalohet në seancë për miratim. Vendimi mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë eurodeputetësh, 50 plus 1. Por paralelisht me shqyrtimin në Parlamentin Europian, raporti i Komisionit për liberalizimin e vizave do të shqyrtohet edhe nga dy zyra të brendshme të Këshillit të Bashkimit Europian. Zyra për çështjen e vizave dhe politikës së jashtme do të shqyrtojnë raportin dhe do të dalë me një konkluzion.
Vendimi
Me marrjen e vendimit nga Parlamenti Europian, vendimi përfundimtar mbetet në dorë të Këshillit të Bashkimit Europian, hallka e fundit. Ky Këshill ka përcaktuar datat e mbledhjes së tij, që janë 7-8 tetor, 8-9 nëntor dhe 2-3 dhjetor. Në datën 8 nëntor pritet që Këshilli të japë vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave. Ky vendim shkon që ditën e nesërme për botim në fletoren zyrtare të Bashkimit Europian dhe hyn në fuqi pas 20 ditësh. Ky skenar bën të mundur që pas datës 28 ose 29 nëntor (ditë historike për Shqipërinë) shqiptarët të nisin udhëtimet pa viza në 25 vendet e hapësirës Shengen.
Procedura e plotë
• Java e parë e korrikut, misioni i ekspertëve të KE-së do verifikojë realizimin e 3 kushteve.
• Brenda muajit gusht KE do të hartojë raportin përfundimtar për heqjen e vizave, informon 27 vendet anëtare.
• Raporti përfundimtar do shqyrtohet në dy komisione parlamentare në PE, dhe kalon për votim (fund shtatori-fillimi tetori) në seancë, me shumicë të thjeshtë 50 plus 1.
• Paralelisht nga dy zyra në Këshillin e BE-së do shqyrtohet raporti për liberalizimin e vizave.
• Këshilli i BE-së mblidhet në 3 data, 7-8 tetor, 8-9 nëntor ose 2-3 dhjetor.
• Vendimi për Shqipërinë merret në datën 8 nëntor.
• Udhëtimi pa viza nis pas datës 28-29 nëntor, 20 ditë pas marrjes së vendimit.
Kriteret për Shqipërinë
• Zhvillimin e një strategjie dhe politike për të mbështetur riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer.
• Përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare.
• Zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar.
Pa viza, më 28-29 nëntor
Festa e Pavarësisë dhe çlirimit këtë vit mund të mbahen mend gjatë, për shkak se përkojnë me ditët më të mundshme, sipas procedurës, për nisjen e udhëtimeve pa vizë në hapësirën Shengen. Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të BE-së në datat 8-9 nëntor dhe hyn në fuqi 20 ditë më pas. Kështu, në Festën e Pavarësisë ose të çlirimit, shqiptarët mund të nisin udhëtimet e tyre drejt vendeve Shengen vetëm me pasaportë në xhep.