Basha: Vizat brenda vitit, asnjë vend i BE s’është skeptik
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha dje se Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave brenda këtij viti. Duke folur në një konferencë për shtyp, një ditë pas takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg, Basha tha se "duke ndarë me çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë kënaqësinë dhe besimin tim si ministër i Brendshëm për udhëtimin pa viza brenda këtij viti, dëshiroj t'i garantoj ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE për angazhimin e plotë të Shqipërisë për të përmbushur brenda afatit edhe kriteret shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian". I pyetur nëse vendet anëtare kanë shprehur skepticizëm lidhur me heqjen e vizave me Shqipërinë, Basha theksoi se gjatë komunikimeve me zyrtarët e Presidencës belge, ka marrë garanci se procesi do të vijojë normalisht. "Me Presidencën e ardhshme belge, sikundër me Presidencën spanjolle, kam pasur kontakte në nivelin e ministrave të Brendshëm dhe ministrave të Migracionit dhe ju deklaroj me përgjegjësi të plotë se Belgjika, sikundër vendet e tjera anëtare të BE, mbështet pa asnjë rezervë procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështet pa asnjë rezervë propozimin e Komisionit Europian", vlerësoi më tej ministri i Brendshëm. Në të njëjtën kohë ai hodhi poshtë të gjithë zërat se heqja e vizave mund të pengohet për shkak të krizës politike në Tiranë. "Nga deklarata e Komisionerit Fule, sikundër nga deklarata e Komisioneres Malmstrom dhe nga të gjithë deklaratat e deritanishme të institucioneve europiane shihet fare qartë se nuk ka asnjë pengesë politike apo mungesë vullneti politik për të përfunduar me sukses procesin e heqjes së vizave, për të cilin tashmë ekziston edhe elementi më i rëndësishëm, propozimi pozitiv i Komisionit Europian", vijoi Basha. Sipas ministrit të Brendshëm "dëshirën për të lidhur procesin e heqjes së vizave me situatën politike apo me kushte politike, unë e shoh si një përpjekje të dëshpëruar të fundit për të bllokuar procesin nga të njëjtët aktorë që u përpoqën ta bënin këtë edhe para të enjtes së kaluar, por që dështuan, sepse e enjtja e kaluar faktoi se procesi i heqjes së vizave është një proces i pandalshëm dhe se shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti në hapësirën Shengen, pavarësisht përpjekjeve të padenja të disa aktorëve për ta bllokuar atë. E kam fjalën për aktorë të brendshëm dhe jo të jashtëm".