Zbardhet rritja e pagave dhe pensioneve më 1 maj
Fabiola Çela
Zbardhet rritja e pagave dhe pensioneve në buxhetin e 2009-ës. Për herë të parë qeveria demokrate ka vendosur që vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve të hyjë në fuqi në datën 1 maj dhe jo në korrik, siç ka ndodhur vitet e kaluara. Edhe këtë vit qeveria ka vendosur që mjekët dhe arsimtarët të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave, ndërsa për sa i përket pensionistëve edhe në 2009-ën, më të privilegjuarit do të jenë pensionistët e fshatit.
Pagat
Rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 për qind. Pak ditë më parë qeveria ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2009, sipas të cilit sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave. Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar është 14 për qind. Ndërkohë që për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Në këtë mënyrë fondi i pagave për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës në 2009-ën është parashikuar që të rritet me 10 për qind. Ndërsa për sektorin e shëndetësisë qeveria ka vendosur që në 2009-ën pagat të rriten mesatarisht me 12.3 për qind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës. Për sektorin e shëndetësisë fondi total i pagave në 2009-ën do të rritet me 2.6 për qind.
Pensionet
Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, pensionet e qytetit do të rriten me 10 për qind, ndërsa pensionet e fshatit me 20 për qind. Edhe qeveria ka vendosur që pensionet e fshatit të rriten më shumë se të qytetit. Në fakt, gjatë tre viteve të fundit pensionet e fshatit kanë përfituar rritjen më të lartë të pensionit. Sipas drejtuesve të qeverisë, një vendim i tillë është marrë me qëllim që të zvogëlohet distanca e madhe që ekzistonte mes nivelit të pensionit të fshatit me atë të qytetit. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, numri i pensionistëve në të gjithë vendin arrin në 520 mijë.
Kontingjenca
Në projektbuxhetin e vitit 2009 është parashikuar një fond i konsiderueshëm prej 16.4 miliardë lekë i kontingjencës dhe fond rezervë. Ky fond është i përbërë nga 2 miliardë lekë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, 8.4 miliardë lekë kontingjencë për të përballuar efektet financiare të politikave të rritjes së pagave dhe të pensioneve dhe 6 miliardë lekë kontingjencë e parashikuar për ruajtjen e deficitit. Qëllimi kryesor i parashikimit të fondit të kontingjencës është i lidhur me eliminimin e riskut në procesin e zbatimit të buxhetit të shtetit. Projektbuxheti i vitit 2009 sapo është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe së shpejti pritet të diskutohet në komisionet parlamentare. Ashtu si dhe vitet e kaluara, projektbuxheti pritet të ngjallë debate në diskutimet në komisionet parlamentare.