E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minierat e Kukësit, pak siguri e shumë pasuri

Aktualisht në qarkun e Kukësit janë dhënë mbi 50 licenca për shfrytëzim, zbulim e kërkim minerali, prej të cilave mbi 30 licenca janë dhënë për rrethin e Tropojës. Por pak prej tyre kryejnë investime për hapjen e fronteve të reja të punës.

Kryesisht kryejnë vetëm grumbullimin dhe tregtimin e kromit, apo të mineraleve të tjera, ndërsa shumë pak investojnë për hapjen e galerive nëntokësore, apo punime të tjera për mbrojtjen e mjedisit. Incidentet e fundit të ndodhura në minierat e braktisura të Tropojës apo të Kukësit evidentojnë faktin se monitorimi i punës së firmave të licencuara është bërë i domosdoshëm. Në radhë të parë për të shpëtuar jetën e njerëzve që është e rrezikuar nga dita në ditë, pasi vazhdojnë të punojnë  pa asnjë lloj sigurie.

Fakti që 6 persona humbën jetën në pak muaj si pasojë e incidenteve nëpër minierat e kromit në rrethet e Kukësit e të Tropojës e bëjnë të domosdoshme kontrollin e sigurimit teknik të punës nëpër miniera nga firmat private të shfrytëzimit të minierave. Sepse ende frontet e punës shfrytëzohen pa ndonjë kriter dhe mbi baza  private.

Kjo për faktin se shumë vendburime mineralesh janë 'privatizuar' nga banorë që ndodhen rreth vendburimit minerar. Kështu është vështirë t’i afrohesh sektorit  të vjetër të Kalimashit, aq sa edhe kompania kinezo- turke, që e kishte marrë me koncesion është pranë largimit, pasi të gjithëpushtetshëm janë pronarët privatë. Kështu edhe në Kam Tropojë, Kepenek, Pac e gjetkë, ku edhe incidentet me pasojë për jetën e njerëzve janë të shpeshta.

Banorët e vetëkthyer në pronarë tregojnë se "grumbullojnë kromin, i cili ngarkohet në skoda të mëdha  nga pronarë të tjerë që japin paratë. Ne paguhemi mirë, bile punësojmë edhe punëtorë, të cilëve u kemi kërkuar që të mos e përmendin emrin tonë". Në qarkun e Kukësit pasuritë minerale llogariten në mbi 14 milionë tonë rezerva të mineralit të kromit, 100 milionë tonë rezerva të hekur nikelit, mbi 3 milion tonë rezerva të mineralit të bakrit, rezerva të konsiderueshme të  boksideve, etj./Start/  

                                                                                             2011-11-13 08:56
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›