Asgjësohet kanabis në Qafë-Shtamë
MAT - Efektivat e komisariatit të policisë Mat kanë sekuestruar dy ditë më parë dhjetëra bimë narkotike në Qafë- Shtamë, mirëpo ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorëve të kultivimit të hashashit. Megjithëse ngjarja nuk është bërë publike mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar nga inspektori i zonës dhe më pas dhe nga efektive të sektorit të rendit, janë gjetur rrëzë malit bimët e ndaluara për kultivim. Bimët janë shkulur dhe djegur nga policia, ndërkohë po kërkohet autori i mbjelljes së tyre në këtë zonë të braktisur. Parcela e mbjellë ndodhet mes fshatrave të Matit dhe Krujës dhe kjo e bën më të vështirë gjetjen e autorëve. “është shfrytëzuar mali, madje kufiri mes dy rretheve për të kultivuar kanabis sativa. Ato ishin shumë të zhvilluara dhe kjo tregon se edhe vite më parë është shfrytëzuar ky terren për kultivim të bimëve narkotike”, thanë punonjës të policisë së Burrelit. Ka mjaftuar ky rast që efektivat e të dy komisariateve të krehin gjithë zonën për të gjetur parcela të tjera të mbjella me bimë narkotike. h.p