E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja e trefishtë, Policia: Zhuba tentoi të vriste dhe Skënder Sallakun

LEZHË- Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Blinisht të rrethit të Lezhës ku mbetën të vrarë tre persona të një familjeje. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, ekspertët e çështjes deklaruan se konflikti mes palëve ka nisur, pasi 47- vjeçari ka përplasur me makinë Fatjon Shtjefnin, dhe është larguar pa dhënë asnjë shpjegim. Të indinjuar, bashkëshortët Shtjefni bashkë me djalin e tyre kanë vajtur tek banesa e Zhubës për t’u sqaruar. Kastriot Zhuba, i cili pohohet të ketë qenë në gjendje të dehur ka nisur të debatojë ashpër me tre pjesëtarët e familjes Shtjefni.

Ndërsa ata kanë dalë nga banesa, 47- vjeçari ka marrë automatikun dhe i ka qëlluar nga pas, duke i lënë të vdekur në oborrin e shtëpisë së tij. Burimet nga grupi hetimor pohuan se para vrasjes së trefishtë, Kastriot Zhuba ka tentuar të vrasë bashkëfshatarin e tij Skënder Sallaku. Kjo për faktin se ky i fundit i kishte rrahur të atin para disa muajsh.

Mësohet se Zhuba ka tentuar të kalojë murin rrethues të banesës së Sallakut, por është përballur me plumbat e armës së 30-vjeçarit. Pasi nuk ka mundur të vrasë Sallakun, 47-vjeçari ka shkuar i mërzitur në lokalin e fshatit ku ka konsumuar shumë alkool. Banorë të zonës thonë se pasi ka dalë nga lokali, Zhuba ka përplasur me makinë Fationin. Burimet e mësipërme shprehen se pas konfliktit dhe vrasjes së tre pjesëtarëve të familjes Shtjefni, 47-vjeçari është rikthyer sërish tek banesa e Sallakut, ku ka shkëmbyer zjarr me të. Më pas ai është larguar nga fshati. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›