E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vrasja e vitit Ê99, në pranga lazaratasi

Policia e Gjirokastrës zbardh një
ngjarje të ndodhur në nëntor të
vitit 1999 dhe ka vënë në pranga një
person të dyshuar si autor i vrasjes së "të
fortit" të lagjes "Punëtore". Operacioni
i koduar "Harresa" ka vënë nën pranga
Drini Alikon, i dyshuar si autor i vrasjes
së Besnik Ibrahimit, ngjarje e ndodhur
10 vjet më parë në vendin e quajtur
"Kryqëzimi i lagjes Punëtore", në rrugën
nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Burime
zyrtare nga policia e Gjirokastrës
bëjnë të ditur se një grup agjentësh
dhe ekspertësh të sektorit të Krimeve
të Rënda në Drejtorinë e Policisë së
Qarkut të Gjirokastrës kanë hetuar për
zbardhjen e kësaj çështjeje, e mbetur
enigmë prej vitesh. Burimet sqarojnë se
masa ndaj lazaratasit Aliko është marrë
pas grumbullimit të provave ligjore, të
cilat e cilësojnë si autor të mundshëm
të kësaj vepre të rëndë. Arrestimi i
31-vjeçarit është bërë rreth orës 16:30
të ditës së premte, në vendin e quajtur
"Kthesa e Viroit", në aksin rrugor
Gjirokastër-Subash. Aliko ka qenë duke
u kthyer nga pika turistike e Viroit për
në Lazarat, me makinën e tij tip "Audi",
me targa GJ0777B. Fillimisht grupi
operacional e ka ndaluar, sepse gjatë
kontrollit të ushtruar në automjetin e tij
u gjetën dhe u sekuestruan nga policia
5 aparate celularë dhe një shumë prej
32 mijë lekësh të reja dhe 420 dollarë,
të cilat u sekuestruan së bashku me
mjetin që ai drejtonte në momentin e
arrestimit. Po atë mbrëmje, rreth orës
23:50, ndaj tij është kryer edhe ekzekutimi
i urdhrit të prokurorit si autor i
dyshuar për vrasjen e Ibrahimit. Vrasja
e ndodhur më datën 4 nëntor të vitit
1999 nuk kishte autor dhe kishte mbetur
një enigmë për organet e policisë
së këtij rrethi. Ndërkohë mësohet se
materialet i kanë kaluar për hetime
të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit
Gjyqësor Gjirokastër, e cila ka nisur
punën për zbardhjen e së vërtetës së
vrasjes së Ibrahimit. Aliko dyshohet se
është autori kryesor i vrasjes së ndodhur
para dhjetë vjetësh, gjatë një përleshjeje
me armë mes grupeve rivale nga kjo
lagje e banuar nga komuniteti egjiptian
dhe disa të rinjve nga Lazarati. Këta të
fundit janë konfliktuar fizikisht dhe
më pas edhe me armë me banorët e
kësaj lagjeje, një ditë para se të ndodhte
vrasja e Besnik Ibrahimajt, për arsye
ende të pazbardhura nga organet e drejtësisë.
Një ditë më pas, viktima është
goditur me armë zjarri sapo ka dalë nga
shtëpia. Sipas dëshmitarëve, atë ditë
Gjirokastra u shndërrua në një arenë
krismash mes grupeve rivale të këtyre
zonave, por ndërhyrja e uniformave
blu normalizoi situatën vetëm në orët
e vona të mbrëmjes së katër nëntorit,
duke krijuar kordonë me policë në
zonën që ndan territorin e qytetit të
Gjirokastrës me fshatin Lazarat, për të
eliminuar serinë e vrasjeve që mund të
ndërmerreshin në shenjë hakmarrjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›