E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani konsultohet për planin e luftës kundër TV të drogës

Nga Tema

Antena brenda familjes

Dje ishte radha e Bogdanit. Kishte dy ditë që s’kishte folur. I kishte kërkuar Flamurit një ditë më parë të thoshte dhe ai një fjalë për Fazlliçin, por Flamuri nuk e kishte lënë.

- Mos të nxitohemi, - tha, - se ca pará na i ka marrë ky legeni, se ia kemi nxjerrë me thes në Maqedoni. Të shikojmë ç’do thotë ai burri, kur të vijë nesër.

- Po ai e ka mik, - i tha Bogdani, - na tha që do ta sjellë në Kuvend.

- E tha, e tha, po s’i dihet. Të presim njëherë.

Dhe kështu u bë. Dje, ai burri u kthye. Telefoni i parë nga Rinasi ishte për Bogdanin.

- Gerti, shkruaj: Mediat e shitura te perandoria e drogës dhe pseudoanalistët që nuk vënë dot më gjoba, kan sulmu biznesmenin e ndershëm Damir Fazlliç. …E shkrujte? Shkruje mirë. Jo, ta dinë ata, se e dimë ne kush janë ata. Jo, e di mirë unë. Ia thashë dhe kancelares Merkel. Më tha që “jam shumë e gëzuar për investimet gjermane në media në Shqipëri”. Dhe më përmendi Bodo Hombach që ka blerë “Vizion Plus”-in. I thashë, zonja kancelare, për ne ata nuk janë media gjermane, janë perandori e drogës, janë gjobëvënës, nuk jam i gëzuar hiç që kanë investu në Shqipëri. U trondit kancelarja. “Nuk është e vërtetë, - tha. - Bodo Hombach ka qenë kryetar i Paktit të Stabilitetit”. E di, i thashë, por është përzi me mafiozë në Shqipëri dhe po e mbush televizionin me mafiozë. Nuk jam i gëzu hiç për ato investime me thënë të drejtën. T’i kishit hedh diku tjetër paratë. Mbeti kancelarja, nuk thoshte dot një fjalë. Më tha: “Të kam përgatit një takim me ta dhe po të presin”. Jo, i thashë, nuk shkoj. Nuk preferoj të takoj trafikantë. Nuk jam i tillë. Më kanë sharë Damir Fazlliçin, njeriun më të mrekullueshëm që njoh.

“Kush është ky? - më pyeti. - E njoh unë?”

- Duhet ta njohësh, - i thashë. Gjithë bota e njeh. Njeri i ndershëm, 33 vjeç ka bërë 500 milionë euro vetëm në Shqipëri për tre vjet që kemi ardh në pushtet. Biznesmen i aftë. Di të përdorë lirinë ekonomike që kemi krijuar.

Iu afrua një këshilltar asaj zonjës te veshi, i tha që akuzohet për fshehjen e vrasësit të Xhinxhiç. Ma tha dhe mua me takt. I thashë, e ke gabim. Ai nuk fsheh njeri. Do ta ketë nxjerrë në pritë. Nuk është nga ata që fsheh njeri.

Bogdani i shkretë po dëgjonte i shastisur gjithë ligjëratën.

- E kuptova, - tha. – T’i shkruaj të gjitha këto?

- Jo, vetëm pak. Dy rreshta. Çoju fjalë. Se e di vetë unë ç’bëj me ta. I kam sulmu një herë, por i ka shpëtu Lul Basha. Tani s’kan ku shkojnë. Antenat në shesh i kanë, gjobat do nisin që nesër, licencë ta harrojnë se do të marrin, ….lidhu pak me Frangajn, se ai ka një plan pune ç’duhet bërë kundër tyre.

- Si urdhëron doktor.

- Po këtij të “TemA”-s çfarë t’i bëjmë, se ka thënë dje që Frangaj ka komanduar policinë për largimin e Fazlliçit, njësoj si më 28 nëntor të 2000, kur e komandonte për arrestimin tënd? Dhe thotë se ka thënë, më mirë ta kishit vrarë.

- Gert, mos u merr me këto punë….Ashtu ë? Ashtu ka thënë? S’ka gjë. Ajo kohë ishte, tani ka ndryshuar koha. Pyete pak Frangajn, ç’t’iu bëjmë atyre të drogës. Jo, duhen sulmu ata. Kemi premtu luft kundër korrupsionit, jo kundër Fazlliçit. Nuk e tolerojmë këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›