E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, rënia e eksporteve në nivele të papërfillshme

 

Rënia e eksporteve ka qenë në nivele të papërfillshme. Ky ka qenë reagimi i dy zëvendësministrave Mima dhe Bozdo në lidhje më krizën botërore dhe efektet e saj në ekonominë e vendit. Zëvendësministri i Ekonomisë Eno Bozdo theksoi faktin, se shifrat që vijnë nga dy muajt e parë të vitit janë optimistë. Ndërsa sipas zëvendësministrit të Financave Florjon Mima eksportet po performojnë pothuaj në të njëjtin ritëm si vitin e kaluar. Sipas tij, gjatë këtij viti është vënë re një rënie e lehte në eksportet shqiptare si minerale, gurë, bimë medicinale, dru etj. Ndërsa fasonët janë në të njëjtin nivel si vjet. Sipas Mimës janë eksportuar rreth 6 milionë euro energji elektrike çka kompenson afërsisht humbjen në eksportet shqiptare. Mima ka theksuar se niveli i importeve ka pasur një rritje të lehtë në natyrë, por një ulje në vlerë. Mima theksoi gjithashtu se drejtësia e masave të marra nga qeveria si p.sh: rimbursimi në kohë i TVSH, zgjatja e afatit të sigurimit vetëm në aksidentet në punë, për punonjësit e rinj, heqja e deklaratës së importit të shtetit pritës, po japin tashmë rezultatet e tyre dhe se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë masa të tjera lehtësues në dobi të biznesit. Sipas tij, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë po monitorojnë programin e kredisë së butë 25 milion euro në dobi të SME, dhe se qeveria po merr në konsideratë ta rrisë ndjeshëm këtë shumë, nëse programi do të vazhdojë me intensitetin e tanishëm. Më pas, Bozdo përmendi edhe një herë disa nga masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si kreditimi i interesave të kredisë për ndërtimin e 6000 apartamenteve, një mbështetje e ndjeshme për sektorin e ndërtimit, kreditimi për kolateralin e eksportuesve dhe për konkurrencën e tyre etj… “Të gjitha këto janë masa konkrete që po japin tashmë efektin e tyre”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›