E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbatimi i kushtetueshmërisë në Veri, krijon debat të nxehtë në Kuvendin

Kuvendi i Kosovës ka rikonfirmuar domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në tërë territorin e Kosovës, duke garantuar ruajtjen e tërësisë territoriale dhe pacenueshmërinë e kufijve të pranuar ndërkombëtarisht të Republikës së Kosovës. Në seancën e ditës së djeshme, Kuvendi ka mirëpritur deklaratën e

Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, të datës 8 shkurt 2010, në të cilën shprehet mbështetja e plotë për domosdoshmërinë e forcimit të përpjekjeve të institucioneve për veriun e Kosovës. Po ashtu, Kuvendi ka mirëpritur përkrahjen e Bashkimit Evropian e të bashkësisë ndërkombëtare për të bërë të mundur që të gjithë qytetarët të kenë përfaqësim demokratik në pushtetin qendror dhe lokal, të përfitojnë nga shërbimet e investimet dhe të kenë qasje në drejtësi. Nëpërmjet një deklarate, Parlamenti rithekson përkushtimin e tij ndaj vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimit, sipas propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Kushtetutës dhe legjislacionit të miratuar prej tij.

Thaçi kërkon mbështetje për strategjinë për veriun
Po gjatë seancës së djeshme plenare, është debatuar edhe rreth gjendjes në veri të vendit. Kryeministri Hashim Thaçi i bëri thirrje parlamentit që të përkrah zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut, të cilën e cilësoi dokument me rëndësi nacionale. Në debatin parlamentar të thirrur nga LDD, për zbatimin e Kushtetutës, kryeministri Thaçi tha se Kosova nuk do të jetë peng i individëve dhe grupeve kriminale që veprojnë në veri të vendit. Ai tha se tani është koha e duhur për implementimin e strategjisë për veriun dhe premtoi krijimin e një fondi të veçantë për investime ne këtë pjesë të Kosovës. Kryetari i LDD, Nexhat Daci, partia e të cilit kërkoi debat parlamentar, prezantoi arsyet pse ky subjekt ka kërkuar debat parlamentar për zbatimin e Kushtetutës në tërë territorin e vendit. Daci tha se kontrabanda dhe krimi i organizuar në veri të vendit po dëmtojnë rëndë sigurinë dhe ekonominë e vendit. Arsye e parë është se Kosova po zvogëlohet nga jashtë. Në një pjesë të territorit të Kosovës shteti fqinj ushtron rolin e vet. Arsye e dytë është se Kosova po zvogëlohet nga brenda, migrimi i rinisë së Kosovës,Tisa dhe Vjena, katastrofa, varfëria, papunësia, krimi ekonomik si pasojë e mos respektimit të Kushtetutës. Kufiri i hapur, miliona euro humben në vit, tha Daci. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, tha se qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të obliguara për zbatimin e Kushtetutës dhe miratimi i një rezolutë obliguese do të ishte e panevojshme. Rrethanat nuk janë të mira, por nuk janë të jashtëzakonshme. Ne kemi menduar që në fund të debatit një grup ta bëjë një deklaratë përmbajtjesore për ta mbyllur logjikshëm debatin e kësaj seance, tha Buja. Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK, Lutfi Haziri, kërkoi nga Qeveria hartimin e një dokumenti të angazhimeve konkrete të planeve të punës. Shpërbërja e plotë e strukturave paralele është punë e mundimshme, kërkohet durim dhe lidership i fortë, kërkohet ndarje e drejt e punëve, maturi dhe buxhet. Ne besojmë se nën udhëheqjen e ekzekutivit dhe mbikëqyrjen e Kuvendit këto masa mund të bëhen realitet, tha Haziri. Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK, Ardian Gjini i dha mbështetje strategjisë për veriun, por e quajti shkelje të Kushtetutës, veprimin e qeverisë që ajo të mos u jepet deputetëve. Po e përcjelli mbështetjen AAK-së për strategjinë dhe çfarëdo deklarate që do të shkonte në mbështetje të kësaj strategjie. Ne e mbështesim, por nuk kemi plan të marrim kurrfarë barre ngase nuk drejtojmë as Ministri të Brendshme, as ministri të Drejtësisë, tha Gjini.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›