E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmon skamnorët

Nga Express më 26 gusht 2011 në ora 18:30

Duke parë se shumë familje po jetojnë në kushte të vështira, Musli Murseli nga fshati Komogllavë i Ferizajt, ka ndihmuar të premten rreth 50 familje skamnore me gjëra ushqimore.

Ai ka thënë se kjo ndihmë është simbolike dhe u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të ndihmojnë familjet që jetojnë në kushte të vështira.

“Së bashku me bashkëshorten time i grumbullojmë ndihmat, të cilat i shpërndajmë. Ndihma të tilla kemi dërguar edhe në Drenicë dhe kemi parë edhe atje se donatorët çdo ditë e më shumë po humbin. Unë ju bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të ndihmojnë familjet skamnore”, ka thënë Murseli.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, Bashkim Hyseni, ka mirëpritur këtë gjest human të këtij mërgimtari duke thënë se kjo është një ndihmë në kohën e duhur.

“Nuk është hera e parë që ky donator ndihmon në këtë formë. Kjo ndihmë nuk është e vogël, por shumë domethënëse”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq ato që më së shumti i janë gëzuar kësaj ndihme ishin familjet skamnore të qytetit tonë.

“Këto ndihma janë në kohën e duhur. Unë kam 11 anëtarë të familjes dhe askush nuk punon. Përveç kësaj, e kam edhe një vajzë të sëmurë”, është shprehur Shaqir Gollaku. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›