Zbogar: Të shqetësuar për situatën në Shqipëri

Bashkimi Europian shprehet i shqetësuar për situatën politike në Shqipëri pas ngjarjeve të 21 janarit dhe thekson se nxitja e dialogut politik është edhe zgjidhja e ngërçit. Kështu është shprehur ministri i jashtëm slloven Samuel Zbogar në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto.
Sipas tij receta më e mirë për zgjidhjen e situatës të vështirë politike në vend është nxitja e dialogut politik dhe mirëkuptimi mes palëve.
“BE është e shqetësuar për situatën në Shqipëri. Ditën e hënë këshilli i ministrave të jashtëm diskutoi se si mund të përfshihet dhe të ndihmojë Shqipërinë për të dalë nga kjo situatë. Shqipëria është në oborrin e brendshëm të BE-së dhe ajo që ndodh në Shqipëri ndodhe edhe në BE prandaj erdha këtu për të kuptuar më mirë se cilat janë problemet që diskutohen” theksoi Zbogar.
Sipas Zgobarit, integrimi i suksesshëm i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet një sfidë e këtij vendi, duke shtuar se BE po iu kushton sidomos vëmendje ngjarjeve të fundit në vendin tonë.
Duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit, Zbogar theksoi se gjithkush ka të drejtë të protestojë por askush nuk mund të dhunojë institucionet e vendit.
"Në një shoqëri demokratike nuk ka vend për dhunë. Në shqipëri ka institucione të drejtësisë dhe duhet të gjitha çështjet të adresohen në këto institucione” theksoi më tej Zbogar.
Nga ana e tij ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto theksoi se Shqipëria ka detyrime në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, prandaj duhet që të tregohet e përpiktë në lidhje me plotësimin e tyre. Sipas tij, qeveria ka një plan pune të posaçëm që Shqipëria të mund të përfitojë statusin e kandidatit.