Përmbytjet, Rezervat e Shtetit 10 tonë ushqime në Shkodër
Autori i Lajmit: RedaksiaQeveria e shteti vë plot 10 tonë ushqime nga Rezervat e Shtetit në dispozicion të familjeve të përmbytura në Shkodër. Ministria e Brendshme ka shpjeguar dhe punën e bërë për evakuimin e banorëve. “Sot, në të gjithë zonën e përmbytur në rrethin e Shkodrës ka vazhduar evakuimi i banorëve që kanë mbetur ende pa u zhvendosur nga banesat e përmbytura. Për evakuimin e tyre janë përdorur varkat me motor dhe me lopata të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, si dhe disa mjete të Policisë së Shtetit”. Sipas saj, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit ka dërguar në zonat e përmbytura të rrethit të Shkodrës 10 tonë ndihma ushqimore, të cilat janë depozituar në vendmagazinimet e përcaktuara nga Komisioni i Emergjencave i qarkut të Shkodrës. Në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore njësitë e Forcave të Armatosura me mjetet e tyre kanë transportuar dhe shpërndarë pranë familjeve në nevojë 5 tonë ndihma ushqimore”,- thuhet në deklaratë. Sipas saj, përveç shpërndarjes së ndihmave në konviktet dhe vendqëndrimet e evakuimit ndihmat ushqimore u janë dhënë edhe familjeve që kanë strehuar të afërmit e larguar nga përmbytja. Në bazë të detyrave të përcaktuar në mbledhjen e mëngjesit të KECQ u aktivizuan strukturat e ushtrisë për evakuimin e 200 personave në lagjen Livade të qytetit Shkodër, e 35 personave në fshatin Luarzë të komunës Velipojë, vazhdimin e dërgimit të ndihmave në komunën e Dajçit dhe Velipojë dhe përcaktimin e magazinave të akomodimit të ndihmave ushqimore që ardhura nga rezervat e shtetit në repartin e Gjadrit dhe në Uzinën e Telave. Ndërkohë që Drejtoria Rajonale e Rrugëve kreu punime për përforcimin e argjinaturës së Spatharës. Bashkia Shkodër në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë mori masa për përforcimin e Nënstacionit të depozitës së ujëmbledhësit në Dobraç ndërkohë që janë shpërndarë sipas planifikimit ndihmat ushqimore në komunat Velipojë, Bërdicë, Bushat, Dajç, Ana e Malit, Guri i Zi sipas kërkesave të kryetarëve të komunave. Në mbledhjen e orës 13:00 të Komitetit Ndërministror u deleguan detyrat për KECQ për marrjen e masave të menjëhershme për akordimin e ndihmave në zonat e komunave të përmbytura dhe për komunitetin e këtyre komunave që janë brenda dhe jashtë zonës së përmbytjes. Në zbatim të detyrave të lëna nga Komiteti Ndërministror u dhanë udhëzime konkrete për ndihma ushqimore në secilën zonë ndërsa u kërkua që për shpërndarjen e ndihmave ushqimore të komunitetit të evakuuar jashtë zonave të përmbytjes të bëhen listat përkatëse nga kryetarët e njësive vendore dhe nevojat e familjeve sipas qendrave të akomodimit në familjet përkatëse që janë të akomoduara. Janë ngarkuar me detyra kryetarët e njësive vendore në bashkëpunim me strukturat e policisë dhe ushtrisë për të verifikuar konkretisht familjet e evakuuara pranë të afërmve të tyre, identifikimin e tyre me qëllim që ndihmat të shkojnë në destinacionin e duhur. Dje është përmirësuar situata e tokave të përmbytura në të gjithë komunat e dhe lagjet në Bashkinë Shkodër.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010