E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista Meksi: “Rrogat e deputetëve të PS-së, për të përmbyturit”

Autori i Lajmit: RedaksiaQeveria shqiptare po përmbyt jo vetëm Veriun, por gjithë ekonominë shqiptare. Kështu pohon në një intervistë për Ballkan, deputetja socialiste Ermelinda Meksi. Ajo solidarizohet me të përmbyturit në Shkodër, ndërsa i propozon Topallit që rrogat e pamarra të deputetëve socialistë të kalojnë për ta. Deputetja dhe anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste, prof. dr. Ermelinda Meksi, sqaron me shifra dhe fakte gjithë gënjeshtrat dhe mashtrimet publike të kryeministrit, që tentoi të mbulonte me shifra fiktive krizën në vend. Meksi shprehet se euforia e Berishës dhe e ministrit të Financave, nuk mund të fshehë faktin se rritja ekonomike në Shqipëri është zero ose dhe më pak, madje në rënie.
Zonja Meksi, zona e Veriut është e përfshirë nga përmbytjet. Kush është përgjegjës për këtë situatë të rëndë të krijuar?
Duke shprehur solidaritetin më të ndjerë për banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, më duhet të them se përmasat e saj mund të ishin shmangur ose zvogëluar nëse institucionet përkatëse do të kishin respektuar dhe zbatuar detyrat e tyre funksionale sipas ligjit.
Sipas jush, si është menaxhuar problemi deri tani?
Një qeveri që nuk di të respektojë ligjin dhe rregullat e zhyt vendin në përmbytje si kjo e fundit. Qeveria edhe pse ishte në dijeni të nivelit të ujërave në basenet e hidrocentraleve siç është vërejtur nga media dhe specialistët, nuk mori masat e duhura për ta evituar këtë problem apo të paktën për ta minimizuar atë. Tani më shumë se menaxhim të situatës nga qeveria dëgjojmë për faktorë globalë që sollën këtë fatkeqësi apo ndihma apo ekspertë nga jashtë që do të na shpëtojnë si për të thënë nga jashtë na erdhi, nga jashtë do të na ikë. Jo, kjo situatë erdhi nga keqqeverisja që vë në krye të punës të paaftët dhe të korruptuarit, ndërsa dëbohen specialistët, sepse nuk u vijnë pas avazit apo për hir të propagandës së “dietës qeveritare” që po na kushton shumëfish, prishen institucionet e specializuara për këto çështje.
Mijëra hektarë tokë janë nën ujë, po ashtu dhe një numër shumë i madh shtëpish, çka përkthehet në dëme të mëdha materiale. Sa mendoni se është e aftë Qeveria të mbulojë dëmshpërblimin e këtyre banorëve?
Situata është mjaft e vështirë dhe dëmet, edhe pse nuk ka ende një shifër të llogaritur, pritet të jenë mjaft të mëdha. Dhe kjo është shumë e rëndë kur mendohet se gjithçka mund të ishte evituar, nëse Qeveria do të kishte punuar si duhet. Sepse pasojat e gjithë kësaj situate do ti paguajnë shqiptarët si taksapagues, që pritet të paguajnë më shumë direkt apo indirekt këtë dëm, nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe jo ministrat apo Kryeministri. Edhe pa këtë dëm qeveria na ka zhytur në një borxh të paparë për vitin 2009 që sipas aktit normativ të fundvitit, vërteton parashikimet e opozitës për paaftësinë e saj të realizimit të të ardhurave në kushte kur ekonomia jonë po ballafaqohet me probleme të mëdha tashmë jo pasojë e efekteve të krizës globale, por keqmenaxhimit të ekonomisë.
Mund të na e sqaroni më mirë këtë akt normativ?
Qeveria nëpërmjet aktit të fundit normativ, pa transparencë, për arsyet që e shpunë në këtë akt, kur deri tani kemi dëgjuar për arritje spektakolare dhe Shqipëria si i vetmi vend që ka rritje ekonomike në Evrope. Siç është botuar në gazetën zyrtare më 31 dhjetor 2009 ( siç e kishim parashikuar me kohë në fund të vitit) ndërron përsëri treguesit e buxhetit pa asnjë shpjegim. Sipas këtij ndryshimi, shihet se është rritur përsëri deficiti buxhetor nga 50 miliardë lekë që qe parashikuar në buxhetin fillestar, në 74,7 miliardë lekë që u rrit me buxhetin e rishikuar në tetor dhe, sipas këtij akti normativ, e shpie deficitin buxhetor në 81,6 miliardë lekë si rrjedhojë e mosrealizimit të të ardhurave, të cilat është e treta herë brenda një viti që korrigjohen nga qeveria drejt uljes. Ato nga 335 miliardë që u parashikuan në buxhetin fillestar, u ulën me rishikimin e buxhetit në tetor në nivelin 326 dhe tani në nivelin 320 miliardë. Ky është një rekord i nivelit të deficitit, i cili nga 4,2% të PPB të programuar në fillim u korrigjua drejt rritjes me rishikimin e buxhetit në tetor 6,3% te PPB duke arritur në 7% të PPB me këtë akt normativ që cenon rëndë ekuilibrat makroekonomike për të cilët opozita prej kohësh po apelon për kujdes e maturi, por mazhoranca përkundrazi po vazhdon rrugën e përmbytjes edhe të ekonomisë kombëtare. Ky deficit është megjithatë në këtë nivel sipas aktit normativ duke marrë të mirëqenë nivelin e PPB aq sa e ka llogaritur Qeveria. Por po të rillogaritet PPB sa është në realitet pra më pak se 1176 miliardë siç tregon rënia e të ardhurave buxhetore që vjen nga rënia e PPB, deficiti është akoma më i lartë. Ne, opozita me kohë e kishim paralajmëruar këtë akt normativ që qeveria do të detyrohej të ndërmerrte nga mosrealizimi i të ardhurave po askush nuk mendonte që qeveria përsëri të programonte një shifër të parealizueshme të ardhurash në nivelin 320 miliardë. Kjo është shqetësuese, pasi është e pamundur të arrihet ky nivel kur si 11-mujor të ardhurat u realizuan 268 miliardë. Pra si mundet që të realizohen në muajin dhjetor 52 miliardë lekë kur asnjëherë në këtë muaj nuk është tejkaluar në tërë këto vite për këtë muaj niveli 30 miliardë i të ardhurave apo kur mesatarisht në 11 muaj është realizuar vetëm 24 miliardë lekë në muaj? Edhe në vitin e kaluar, kur është realizuar rritja më e lartë e të ardhurave buxhetore, të ardhurat e buxhetit për muajin dhjetor (2008) ishin rreth 29 miliardë lekë. Për rrjedhojë të pretendosh se do të realizohen 52 miliardë lekë është vetëm gënjeshtër e papërgjegjshmëri totale që nuk pyetet për ligjin e buxhetit. Kjo nuk quhet më paaftësi parashikuese e qeverisë, por fshehje e qëllimshme e realitetit me pasoja të rrezikshme, i cili duhet demaskuar fort jo vetëm nga opozita, por gjithë media dhe shoqëria shqiptare. Prandaj është momenti për të theksuar sa e rëndësishme është ajo për të cilën PS ka propozuar në rezolutën e saj të aprovuar në mbledhjen e saj të asamblesë së 16 dhjetorit, sidomos me rishikimin e buxhetit të 2010 në mënyrë që vendi të mos shkasë në katastrofën e pakthyeshme të borxheve që vijnë nga shpenzimet e papërballueshme në kushtet kur vendi po ballafaqohet me ketë nivel të ardhurash që po ulet vazhdimisht. Ndërkohë ky akt normativ është i dyshimtë dhe nga ana ligjore kur vendime kaq të rëndësishme janë në kompetencë të Parlamentit dhe jo të qeverisë, e cila aktet normative i bën vetëm në raste ekstreme të emergjencës. Kjo situatë ishte e paralajmëruar dhe skish vend për akt normativ.
Po pse u bë në formën e aktit normativ ky vendim?
Këtë përgjigje mund ta japin më mirë se unë juristët, por ajo që unë mendoj është se kjo qeveri, së pari, nuk e ka në kulturën e saj respektimin e institucioneve dhe, së dyti, kjo formë vendimmarrjeje nuk i jep informacion opinionit publik dhe i krijonte komoditet qeverisë që në errësirë të marrë vendime që përgjumin opinionin, duke menduar se populli ha bar. Dhe në këto kushte, në mënyrë cinike, mburret për arritje kur ka vetëm përmbytje, jo vetëm ato të Veriut, por tashmë të të gjithë ekonomisë kombëtare.
Ka një iniciativë të kryeministrit për kontribut me një rrogë për të dëmtuarit, po ju si mendoni të kontribuoni?
Tashmë PS, nëpërmjet kryetarit të saj, ka shprehur solidaritetin dhe modalitetet për këtë ndihmë. Por përkundrejt kësaj demagogjie kryeministrore, unë do të kërkoja që pagat e pamarra të deputetëve të opozitës, të cilët, për arsye parimore politike nuk kanë pranuar të venë në Parlament, por që punojnë megjithatë jashtë tij më shumë se disa orë pune në javë në Kuvend të deputetëve të mazhorancës, të shkojnë në dobi të të dëmtuarve nga përmbytjet. Dhe i kërkoj zonjës Topalli me transparencë të raportojë për to, sepse buxheti i Parlamentit duhet të respektohet i pari.
Do të doja të kaloja tek situata e përgjithshme ekonomike në vend. Kemi 2 shifra shumë larg njëra-tjetrës për rritjen ekonomike, ajo që deklaron kryeministri prej 7 për qind dhe ajo që raportohet në media prej 2 për qind. Shqiptarët duan të dinë cila është shifra e vërtetë.
Në një kohë kur shqiptarët po vuajnë përditë realitetin e Shqipërisë, kryeministri e vartësit e tij vazhdojnë mburrjet për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Tërheqim vëmendjen se realiteti ekonomik i vendit, i prezantuar me shifrat e fundit të 11-mujorit, shpreh një përkeqësim të situatës. Ne, ndryshe nga më parë tashmë theksojmë se ky realitet nuk është më si rrjedhojë e krizës globale, por nga keqqeverisja, gjë që opozita e ka paralajmëruar prej shumë muajsh. Sot është rasti të denoncojmë dhe një herë Kryeministrin e Shqipërisë, që në vend të shpjegojë rënien katastrofike të të ardhurave si 11-mujor, deklaron me eufori, pa asnjë përgjegjësi në konferencën e shtypit të mbajtur sapo erdhi nga Danimarka në dhjetor, rritjen e të ardhurave prej 7 për qind. Si ka mundësi që kur të ardhurat janë rritur 2 për qind si 11-mujor, vetëm si rezultat i rritjes së çmimeve, kryeministri deklaron 7 për qind? Nga padija apo mashtrimi në mes të ditës, kjo është shumë e rëndë për një vend që drejtohet kuturu!? Ne sot pyesim shqiptarët, por edhe faktorin ndërkombëtar, a ka kryeministër në Evropë që sillet me kaq papërgjegjshmëri ndaj shifrave që shprehin probleme shumë të rëndësishme të zhvillimit të vendit? Si ka mundësi që me kaq papërgjegjshmëri fshihet realiteti? Kujt i shërben kjo sjellje?
Ne mendojmë se propaganda e kryetarit të PD-së, megjithatë, është krejt tjetër nga përgjegjësia që duhet të karakterizojë Kryeministrin e Shqipërisë, që ka marrë përsipër drejtimin e vendit. Për fat të keq, në vend të kësaj, ai ka vënë të gjithë administratën e vendit në funksion të propagandës së tij politike, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur ato që duhet të funksionojë vetëm sipas ligjit. Administrata fiskale, Drejtoria e Tatimeve ka përgjegjësi për mungesën e transparencës së treguesve të të ardhurave e për faktorët që sollën këtë rezultat. Të gjithë jemi dëshmitarë të konferencave të shtypit që këto institucione nxitonin të organizonin dikur për të promovuar rezultati, tani heshtin, por nuk rresht se mburruri megjithatë kryeministri kur duhet tu shpjegoj gjithë shqiptarëve pse nuk realizohen të ardhurat, pse ndërmerr aktin e fundit normativ dhe pse rrit akoma deficitin?
Po Ministria e Financave, çfarë përgjegjësie ka në këtë situatë?
Sigurisht, Ministria e Financave ka përgjegjësi të plotë dhe të drejtpërdrejtë për situatën e mosrealizimeve buxhetore dhe thellimin e deficitit. Është ky institucion që ka dhënë shifrën e rritjes së të ardhurave si 11-mujor prej 102 për qind kundrejt vitit 2008 të cilën, megjithatë e morëm nëpërmjet medias, sepse mungon informacioni nga ëebsite i Ministrisë, ndryshe nga një vit më parë, që kur të dhënat rezultonin pozitive, ato nxitonin ti propagandonin. Por, sigurisht, kur flet kryeministri përpara ministrit të Financave, ky i fundit e ka të vështirë ta përgënjeshtrojë atë dhe vazhdon e rëndon përgjegjësinë e tij, duke u fshehur realitetin qytetarëve shqiptarë me mungesën e transparencës për situatën ekonomike të krijuar. Ata kanë jo vetëm përgjegjësi për këtë realitet por dhe për fshehjen e tij. Kjo fshehje realiteti shoqëroi dhe aktin e fundit normativ të qeverisë që rriti deficitin buxhetor në 81,6 miliardë lekë apo rreth 900 milionë dollarë vetëm në një vit.
Çfarë do të bëjë opozita?
Ne i kërkojmë kryeministrit dhe ministrit të Financave të na thonë se kujt i shërben propaganda dhe euforia e rritjes ekonomike 5-6 për qind, kur ky realitet tregon që ajo është 0 ose negative, pra flet hapur për rënie ekonomike, krejt e kundërta e propagandës së deritanishme qeveritare.
Ç`mund të na thoni për buxhetin e vitit 2010, do ta realizojë qeveria në këtë situatë të rëndë ekonomike?
Siç e kam thënë edhe më parë, kjo qeveri nuk ka gjasa të realizojë as buxhetin që e solli të korrigjuar një muaj më parë, por as atë të ndryshuar me aktin e fundit normativ, duke shkelur jo vetëm ligjin, por dhe duke treguar paaftësinë e saj parashikuese, e duke sjellë precedentin më të shëmtuar në financat shqiptare, atë të disa buxheteve në vit.
A nuk ka frikë se mos penalizohen për shkeljet e ligjit të buxhetit?
Tashmë ata janë mësuar që fshehtazi në fund të vitit, kur shqiptarët janë në prag të Vitit të Ri, pa pikë përgjegjësie të aprovojnë një akt tjetër normativ, për ndryshimin e treguesve të buxhetit, i cili është një hap tërësisht antiligjor. Prandaj ne socialistët kërkojmë të zgjojmë opinionin publik e ti kërkojmë llogari kësaj qeverie, cilat janë arsyet e mosrealizimeve që e detyrojnë qeverinë të sjellë këtë akt të ri normativ për ndryshimin e buxhetit. Opozita me këtë rast po ngre fort zërin për të kërkuar përgjegjësinë e qeverisë në keqqeverisjen e vendit, të cilën po e paguajnë shqiptarët. Dhe shpreh shqetësimin që përmbytja e Veriut nga keqqeverisja po shtrihet në gjithë vendin nga keqmenaxhimi i financave publike me këtë nivel të rritur të deficitit. Me këtë rast, i kujtojmë se tashmë kërkesa për transparencën e kutive shkon përtej e kërkon transparencën e qeverisjes, transparencën e këtij realiteti që ne sot denoncojmë me force, prandaj siç është parashikuar në rezolutën e PS-së, duhet rishikuar me urgjencë buxheti i vitit 2010 nën këndvështrimin e mosarritjeve për të mos shtuar koston që kjo qeveri po u kushton shqiptarëve.

Ky lajm është publikuar: 10/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›