E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria ne Veri kthese per ekonomine e Kosoves

Ekspertët e ekonomisë parashikojnë një kthesë radikale për ekonominë e Kosovës, pas vendosjes së masave të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës për Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën dhe vënies nën kontroll të dy pikat kufitare në Veri. Bllokimi do të krijojnë mundësi për prodhimet vendase që të depërtojnë më shumë në tregun kosovar si dhe për rritjen e cilësisë së tyre.

Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës thotë: “Një vendim i tillë ka arsye të pafund ekonomike, politike e mbi të gjitha sociale. Në aspektin ekonomik është koha kur Kosova duhet të largohet nga shndërrimi i saj në shoqëri të varur nga importi. Është koha kur duhet të bëhet më tepër, që të jemi një shoqëri  që do të investojë në sektorin prodhues. Nëse do të investojmë në sektorin prodhues vendor do të ketë mundësi për hapje të vendeve të reja të punës, do të ketë mundësi për përmirësim të bilancit të pagesave, do të ketë mundësi për një ambient më të volitshëm dhe në këtë mënyrë do të kemi shumë më shumë indikatorë ekonomik, që do ta bëjnë më substancial zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
 
Që nga mbarimi i luftës buxheti i Kosovës është dëmtuar me disa qindra miliona euro, përmes futjes së mallrave serbe në formë kontrabande nga dy pikat kufitare në Veri ku nuk ka pasur kontroll nga autoritetet e Kosovës.
 
Në këtë drejtim, Agron Demi, Drejtor i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, shprehet se: “Në vitin 2010 kanë qenë 285 milion euro që kemi importuar nga  Serbia dhe diku 80 milion euro prej Bosnjës. Dhe të gjitha këto kanë qenë produkte ushqimore, e tëra që kemi eksportuar në këto vende kanë qenë metale të papërpunuara. Por ato që do të humbasin tani do të jenë bizneset serbe dhe boshnjake. Ne e dimë që  kur qeveria tha se do të ndërmarrë një veprim të tillë, kemi pas një lobim të bizneseve nga Bosnja dhe Hercegovina që të mos ndërmerret një mase e tillë, për shkak se ato do të dëmtohen dhe jo shteti serb. Tani kemi disa negociata  ku bizneset e Bosnjës dhe Serbisë janë duke bërë presion te qeveritë e tyre, të largojmë bllokadën për produktet kosovare”.
 
Ekspertët e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria që tani të mos tërhiqen nga ky vendim, pasi vlerësojnë se tani është koha e përshtatshme që t’i bëhet presion Serbisë  për të garantuar një partneritet të mirëfilltë me Kosovë.

Sala Mehmeti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›