E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet balerina e parë shqiptare

Kërcimtarja veterane, Ganimet Vendresha, nderohet me Çmimin e Karrierës në Festivalin Ndërkombëtar të Dancit që po zhvillohet në qytetin e Durrësit. Në një ceremoni simbolike të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" organizatorët e këtij festivali nderuan me "Çmimin e karrierës" kërcimtaren Ganimet Vendresha për kontributin e saj të gjatë si balerinë dhe si pedagoge e dancit klasik. Duke dorëzuar çmimin, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, vlerësoi dhe artistët e rinj, të cilët po ecin në gjurmët e krijuesve të Teatrit të Operës dhe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Drejtori i TOB-it, Zhani Ciko, shprehu mbështetjen e tij për veprimtarinë e organizuar në Durrës, duke shtuar se çmimi për znj. Vendresha është një vlerësim edhe për punën e themeluesve të kësaj gjinie të bukur dhe të vështirë në vendin tonë. Ajo është pjesë e plejadës së mjeshtërve të baletit shqiptar, ndërsa njihet dhe si një prej themelueseve të Shkollës së Baletit të formuara profesionalisht nga Balshoi Teatër në Rusi. Ganimet Vendresha ka qenë protagoniste e baletit të parë shqiptar me tre akte "Halili dhe Hajria" të kompozitorit Tish Daija, vepër në të cilën interpretoi rolin e Hajries në krah të Xhemil Simixhiut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›