"Rexhina" në gjykatë, i penduari firmos paktin
Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet për gjashtë të pandehurit
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll dosjen hetimore të gjashtë të pandehurve të arrestuar në operacionin e policisë të koduar me emrin "Rexhina", emër ky i vendosur për shkak të makinave që ata vidhnin me dhunë. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurori Ardian Nezha, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer 9 vjedhje me dhunë, ku nën kërcënimin e armëve përveç vjedhjes së makinave kanë marrë edhe sende materiale me vlerë. "Të pandehurit Dritan Hamiti, Edmond Neza, Gentjan Neza, Bujar Sefa, Bledar Hasani dhe Erlind Taullaj kanë konsumuar veprat penale të "vjedhjes me dhunë" dhe "vjedhjes së pasurisë kur kanë sjellë pasoja të rënda" në tetë raste, të gjitha këto të kryera në bashkëpunim dhe në kuadër e formën të "grupit të strukturuar kriminal". "Nga hetimet e çështjes ka rezultuar se gjashtë të pandehurit në vende dhe kohë të ndryshme kanë vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës 6 makina të reja të tipit "Mercedes Benz", 'Rexhina" dhe BMW X5 si dhe pasuri të ndryshme të dy shtetasve të tjerë. Të gjitha këto vjedhje janë kryer nga të pandehurit të ndarë nga dy apo tre persona dhe janë shitur më pas me shuma të ndryshme personave të tjerë",-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokuror Ardian Nezha. Sipas kërkesës është arritur pas hetimeve të krijohet një tablo e plotë e aktivitetit kriminal të këtyre personave të cilët në harkun kohor tetor 2006 - mars 2007 kanë kryer vjedhjet në qytetet e Tiranës, Kavajës dhe Durrësit. Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se provë kryesore për zbardhjen e kësaj dosjeje ka qenë dëshmia e të penduarit të "bandës" Erlind Taullaj, i cili ka dëshmuar për të gjitha vjedhjet e kryera nga grupi i tyre dhe falë kësaj dëshmie, organi i akuzës ka nënshkruar një marrëveshje me të pandehurin me status të penduar tashmë.