E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 Maji, shqiptarët mbi 30% të papunë

 

Në ditën e punëtorëve, Shqipëria mbetet një nga vendet me papunësinë më të madhe në rajon

INSTAT e vlerëson papunësinë në fshat zero, ndërsa në qytet të papunë janë vetëm të regjistruarit në zyrat e punës

Dita e punëtorëve e ka gjetur pjesën më të madhe të atyre që kërkojnë një punë të papunë në Shqipëri. Ndërsa protestat në këtë ditë si ngaherë kanë qenë të vakëta, norma e papunësisë sipas ndërkombëtarëve në vend është mbi 30 për qind. Nga të dhënat e Institutit të Statistikave rezulton se 13.2 për qind e popullsisë sot nuk ka një vend pune për të siguruar të ardhurat e përditshme. Kjo shifër përkthehet në më shumë se 142 mijë të papunë në të gjithë vendin. Por ky numër është shumë herë më i lartë po të mbahen parasysh se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit, dhe së dyti, në këtë numër nuk përfshihen të papunët në fshat, për të cilët nuk ka asnjë të dhënë. Edhe pse qeveria e ka shpallur luftën kundër papunësisë një prioritet për zhvillimin e ekonomisë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Gjatë vitit 2007, numri i të papunëve u ul vetëm 2 mijë vetë, nivel pothuajse i pallogaritshëm krahasuar me atë armatë të papunësh që çdo ditë luftojnë për bukën e përditshme. Shqipëria është një vend me papunësi rekord, ndërsa shifra që jep qeveria për një normë prej rreth 13 për qind për papunësinë për vitin 2007, është fiktive. Sipas Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), norma e papunësisë në vend është mbi 30 për qind dhe reflektohet në nivelin e lartë të varfërisë, që shkon në rreth 25% të popullsisë. Produkti i Brendshëm Bruto për vitin 2007, i matur me fuqinë blerëse shkon në rreth 19.76 miliardë dollarë. Por niveli i kënaqshëm i nivelit të PBB-së, i matur me fuqinë blerëse për një vend në zhvillim si Shqipëria, nuk jep shumë shpresë për një nivel të kënaqshëm të nivelit të jetesës. Kjo pasi rreth 50 për qind e PPB-së vazhdon që të jetë në hije, duke u bërë pjesë edhe e një shpërndarjeje të pabarabartë. Varfëria dhe pabarazia e shtresave shoqërore mbetet në nivelet më të larta, krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Papunësia që fshihet

Për vitin 2007, papunësia e llogaritur nga INSTAT në fund të 6-mujorit të dytë rezultonte 13.5%, duke u vlerësuar me një rënie me 0.4% në nivel vjetor, krahasuar me një vit më parë. Por papunësia e raportuar nga ana e INSTAT, vlerësohet që të jetë një nga treguesit që kanë hapur një debat të vazhdueshëm midis specialistëve. Kjo metodologji zyrtare e përdorur nga ana e INSTAT nuk merr parasysh papunësinë në bujqësi. Rënia drastike në "letra" e papunësisë në Shqipëri ndodhi që në vitin 1993. Kjo për arsye se një numër i madh të papunësh të regjistruar, kryesisht në zonat rurale, dolën nga skema e të papunëve të regjistruar, pasi morën tokën e tyre në bazë të Ligjit mbi Tokën dhe Privatizimin. Në fund të vitit 1993, shkalla e papunësisë ishte 22 për qind. Kjo është edhe një nga shkaqet, sipas raportit të CIA-s, që norma e papunësisë zyrtare në vend është e deformuar dhe 3 herë më e ulët se norma reale e të papunëve. Raporti i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës ka vlerësuar se në Shqipërinë e vitit 2006, rreth 58% e fuqisë punëtore në vend është e përqendruar në bujqësi, 27% në sektorin e shërbimeve dhe vetëm 15% në sektorin e industrisë. Duke pasur një forcë kaq të madhe punëtore në bujqësi, kur ky sektor sipas raportit jep 21.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një normë thuajse zero papunësie, sqarohet edhe fakti pse sipas metodologjisë zyrtare, papunësia është vetëm 13%. Zonat rurale, në të cilat shtrihet edhe harta kryesore e varfërisë në vend, supozohen sipas qeverisë më një punësim të plotë, pasi askush nuk është i regjistruar si i papunë. Numri i shqiptarëve që bëjnë pjesë në forcën e punës shkon në rreth 1.09 milionë. Në këtë shifër nuk përfshihen emigrantët, ndërsa raporti bën me dije se numri i të papunëve është mbi 300 mijë persona

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›