E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Konkurrenca", tritol lokalit tek "Ekspozita Sot"

 

Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit. Policia heton në disa pista

TIRANË- Një sasi tritoli ka shpërthyer në ambientet e një lokali në qendër të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme, kur persona ende të panjohur kanë vendosur një sasi eksplozivi në lokalin "Ekspozita Sot". Shpërthimi i tritolit është dëgjuar nga banorët e zonës të cilët kanë vënë në dijeni policinë. Specialistët e seksionit të luftës kundër shkatërrimit të pronës dhe efektivat e antiterrorit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale, ku janë është shkatërruar dera kryesore e lokalit si dhe dëmtime të tjera. Ndërkohë që nga shpërthimi janë dëmtuar edhe disa automjete të cilat ishin parkuar pranë lokalit. Burime zyrtare nga policia thanë se deri më tani ende nuk ka emra personash si autorë të dyshuar të ngjarjes gjithashtu edhe shkaku ende nuk dihet. Rreth orës 4:00 duke u gdhirë dita e djeshme, banorët e zonës pranë ekspozitës janë zgjuar nga një shpërthim i fuqishëm. Menjëherë u lajmërua policia e cila u vu në lëvizje për sqarimin e rrethanave. Policia mbërriti pranë një lokali, pronë e qytetares Flutura Deliu ku kishte shpërthyer dhe sasia e eksplozivit duke shkaktuar dëme materiale. Specialistët e seksionit të luftës kundër shkatërrimit të pronës dhe efektivat e antiterrorit rrethuan zonën për të mbledhur provat në vendin e ngjarjes. Për më shumë se tre orë lokali ka qenë i rrethuar nga policia, e cila bëri të ditur se ende nuk është përcaktuar sasia e eksplozivit që persona të panjohur vendosën pranë lokalit. Burime zyrtare nga policia thanë se po punohet për të identifikuar autorët dhe shkakun e vënies së eksplozivit. Të njëjtat burime shtuan se po hetohen disa pista për të zbardhur motivin e ngjarjes. "Konkurrenca dhe ndonjë konflikt që mund të kenë pasur poseduesit e lokalit janë dy pistat kryesore për të cilat po heton policia si shkak i vënies së eksplozivit" për "Shekullin' burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Megjithatë policia nuk përjashton edhe pista të tjera hetimi për të cilat po punon por që nuk i ka bërë publike. Pronarët e lokalit janë marrë në pyetje nga policia, ku kanë deklaruar se nuk dyshojnë te ndonjë person duke ia lënë në dorë hetuesve të zbardhin çështjen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›