Trafiku me Kosovën, bllokohen 74 pistoleta
Zbulohet një rrjet trafiku armësh me Kosovën. Dyshohet se i arrestuari kishte siguruar lidhjet gjatë qëndrimit në burg
Arrestohen dy vëllezërit Zharku. Në makinat e tyre sekuestrohen një arsenal i tërë municionesh
TIRANË- Operacioni "Morina" çon në qeli dy vëllezër, ndërsa u sekuestron atyre një arsenal të tërë armësh, mes të cilave edhe 74 pistoleta. Sektori i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë organizuar ditën e djeshme një operacion, i cili u finalizua në orët e pasdites me arrestimin e dy vëllezërve të cilët dyshohet se trafikonin armë. Mehmet Zharku, 33-vjeç, i dënuar më parë dhe Halit Zharku, 37-vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, janë dy vëllezërit të cilët u kapën ditën e djeshme pranë "Farmacisë nr.10" në kryeqytet. Burime nga policia thanë se dy personat po udhëtonin me dy automjete të ndryshme njëri pas tjetrit kur janë ndaluar nga policia. Kjo e fundit ka ushtruar një kontroll në dy automjetet e tyre ku dhe ka gjetur një sasi të konsiderueshme armësh të trafikuara.
Hetimi
Disa kohë më parë, antitrafiqet e paligjshme pranë drejtorisë së krimit të organizuar kishin siguruar informacione për një rrjettrafiku armësh që vepronte në Tiranë. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, policia nisi hetimet për të goditur rrjetin e trafikantëve të pistoletave e granatave. Kështu pak muaj më parë, policia mundi të identifikonte dy të dyshuarit si dhe të mbante në vëzhgim ata. Dy vëllezërit Halit dhe Mehmet Zharku ishin dy të dyshuarit që shisnin armë në Shqipëri. Burime nga policia thanë se dyshohet se armët ata i merrnin në Kosovë dhe më pas i trafikonin në vendin tonë. Njëri prej të dyshuarve, Mehmet Zharku kishte qenë i dënuar më parë për "Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen". Ai u dënua me 5 vjet heqje lirie duke vuajtur dhe dënimin. Burime konfidenciale nga policia thanë për "Shekullin" se dyshohet që 33-vjeçari të ketë njohur pikërisht në burg personat me të cilët do të kryente dhe trafikimin e armëve. Nuk dihet nëse bashkëvuajtësit e tij e kanë ndihmuar për burimin e armëve apo për shitjen e tyre, gjë e cila mbetet për t'u verifikuar në gjatë hetimeve nga policia. Ndërkohë që ditën e djeshme policia kishte siguruar informacione se dy vëllezërit do të transportonin një sasi të konsiderueshme armësh nga Kosova në drejtim të kryeqytetit.
Operacioni
Për kapjen në flagrancë të dy të dyshuarve policia ka organizuar një operacion të koduar "Morina". Dyshohet se dy vëllezërit ishin kthyer sot nga pika e kalimit kufitar në Morinë në drejtim të Tiranës. Në momentin që po ktheheshin të ngarkuar me municione, dy makinat të cilat udhëtonin njëra pas tjetrës janë ndaluar nga policia pranë zonës së quajtur "Farmacia nr.10" tek rruga e "Dibrës" në Tiranë. Mësohet se 33 dhe 37-vjeçarët Zharku nuk kanë bërë rezistencë. Ata i janë bindur urdhrit të policisë, e cila pas kontrollit ka gjetur dhe sasinë e konsiderueshme të armëve. "Në automjetet e dy vëllezërve u gjetën e u sekuestruan 50 pistoleta mini-zastava, 24 copë pistoleta "Bereta", 1 granatëhedhës, 6 predha kundratank, 120 granata dore, 120 ndezësa granatash dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme" -thanë burimet zyrtare nga Policia e Shtetit. Ndërkohë që oficerët e policisë të cilët morën pjesë në këtë operacion kanë vazhduar kontrollet në banesat e dy të arrestuarve për gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Burime zyrtare nga policia thanë se grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshira në këtë trafik, ndërsa për këtë çështje po heton edhe prokuroria për krime të rënda.
74
Pistoleta mini-Zastava dhe "Bereta" janë sekuestruar nga policia dhe në zonën e quajtur "Farmacia 10" në Tiranë
6
Predha kundratank mendohet se janë trafikuar prej dy vëllezërve nga Kosova në drejtim të Tiranë
120
Granata dore dhe po kaq ndezës granatash janë gjetur në të njëjtat makina me të cilat transportoheshin armët
150
Copë fishekë të llojeve të ndryshme janë bllokuar gjithashtu gjatë operacionit të djeshëm në Tiranë