E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimi; Zviceranët gjejnë pellg naftëmbajtës në Durrës



Kompania zvicerane “Manas Petrolium” në një raport të paraqitur pak kohë më parë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ka treguar se ka rënë në gjurmët e regjistruara në terren të një liqeni gjigand nafte

Një kompani nga Zvicra ka rënë në gjurmët e një pellgu naftëmbajtës gjigand në rajonin bregdetar të Durrësit, duke premtuar sasi të pakonceptueshme të arit të zi. Sipërfaqe toke, madje, shumë shpejt edhe deti, në Durrës (e jo vetëm aty) po përfshihen në projektet e shpimeve me sonda tepër të fuqishme dhe të ndjeshme nga ekspeditat e një kompanie zvicerane e cila ka premtuar “lumenj naftëmbajtës”.

Kompania zvicerane “Manas Petrolium” në një raport të paraqitur pak kohë më parë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ka treguar se ka rënë në gjurmët e regjistruara në terren të një liqeni gjigand nafte dhe pikërisht në shtator, palët kanë nënshkruar marrëveshjen lidhur me finalizimin e financimit të projektit për kërkime nafte në krejt Qarkun e Durrësit.

“Manas Petrolium” ka kontratën e nënshkruar për ndarjen e prodhimit prej 6 blloqesh duke nisur nga Spitalla, Porto Romano, e duke vazhduar në zonat bregdetare. Të evidentuara deri para pak vitesh ishin katër blloqe naftëmbajtëse, të cilat më parë i kishin kompanitë e huaja “Shell Oil’ dhe “Corporex”, që investuan rreth 25 milionë USD.

Zviceranët kanë fituar të drejtën për kërkime nafte në zonën A, B, C, D me një sipërfaqe kërkimi të përgjithshme prej 3000 km2. Para se të vinin zviceranët, këtë të drejtë kërkimi nafte e kishin dy kompanitë holandeze “Shell Oil” dhe “Corporex”, por pas vitit 2008 në terren ka nisur shpimet e veta “Manas Petrolium”.

Zonat A dhe B gjenden në hapësirën nga Shkodra deri në Kavajë, duke përfshirë në këtë hartë edhe Gjirin e Lezhës dhe atë të Durrësit. Zona tjetër e shpimeve me sonda të fuqishme ka nisur në zonën nga Tirana deri në Papër të Elbasanit dhe së bashku me pjesën tjetër përgjatë bregdetit zë hapësirën më të konsideruar të projektit.

Gjatë projekteve kërkimore kompania nga Zvicra ka shpenzuar rreth 7 milionë dollarë. Ndërkohë, kompania e kërkimeve për gaz dhe naftë është e përqendruar në Evropën Juglindore, Azinë Qendrore dhe në Amerikën e Jugut.

Sondat e ndjeshme dhe tepër moderne të kompanisë zvicerane kanë rënë në gjurmët e puseve të fuqishme të naftës në nëntokën e Durrësit, duke e bërë gjirin shumë shpejt një pellg gjigand të arit të zi. Shqipëria dhe kryesisht zonat bregdetare, sipas studimeve dhe kërkimeve nga zviceranët, mësohet se kanë një kapacitet deri në 2.2 miliardë fuçi naftë dhe konsiderohen më të pasurat në rajon.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›