Gjyqtari, mjekut: Më thuaj veprimet e tua para dhe pas operacionit të vajzës
Artan Broci, gjyqtari i çështjes, kërkoi nga mjeku hollësi rreth mjekimit të vajzës, analizave që i ka bërë para operacionit, si dhe faktin nëse i ka hapur apo jo një kartelë për operacionin dhe ecurinë e tij. Mjeku Hoxhallari: “Mjekësia e njeh vdekjen, unë nuk kam gabuar”
Mjekësia e njeh vdekjen, unë nuk kam gabuar. Me këto fjalë është përpjekur të mbrojë veten para gjykatës mjeku urolog, Xhevahir Hoxhallari, duke ngritur pretendimin se mjekësia i njeh, ndonëse rrallë, vdekje të këtij lloji. Por, këtij pretendimi të mjekut të pandehur i është kundërpërgjigjur me disa pyetje gjyqtari Artan Broci, duke i kërkuar mjekut t’i shpjegojë nëse kishte një kartelë të vajzës kur e ka operuar, çfarë analizash i bëri përpara se t’i hiqte bajamet, përse nuk e ndoqi gjendjen e vajzës edhe pas operimit pasi zakonisht ndodhin vdekje në mjekësi, disa orë apo një ditë pas operacionit dhe jo 21 ditë pas operacionit. Mjeku është përpjekur t’u japë një përgjigje pyetjeve të gjyqtarit Broci, duke deklaruar se pas familjes së Matildës, ishte i vetmi të cilit i erdhi keq për atë që ndodhi dhe se atë ditë vajza dhe prindërit e saj e kishin të mbushur mendjen për kryerjen e operacionit. Ndërsa lidhur me analizat e bëra, mjeku pretendoi se i kishte bërë analizën e gjakut që bëhet zakonisht para operacioneve, por që nuk dispononte apo nuk i hapi një kartelë vajzës. Përmes përgjigjeve të tij në sallën e gjyqit, mjeku u përpoq të mbronte veten lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, ndërkohë që gjyqtari u përpoq të krijonte një tablo të qartë rreth veprimeve të mjekut ditën dhe pas operacionit të Matilda Petritit. Paraditen e djeshme, mjeku i ORL-së Xhevahir Hoxhallari është ulur në bankën e të akuzuarit, si i pandehur për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti, pacientja që ndërroi jetë 21 ditë pas operacionit për heqjen e bajameve. Me avokatin mbrojtës në krah, mjeku Hoxhallari i tha gjykatësit Artan Broci se nuk ishte treguar i pakujdesshëm në mjekim, sikurse prokuroria e akuzon, por vdekja e vajzës, sipas tij, hyn tek rastet e rralla që ndodhin në mjekësi. “Mjekësia e njeh vdekjen, unë nuk kam gabuar”, - u shpreh ai para gjykatës. Por, Prokuroria e Tiranës për një kohë të gjatë grumbulloi prova që e fajësonin mjekun dhe neglizhencën e tij, një ndër të cilat është edhe një raport i detajuar i Mjekësisë Ligjore, i cili flet për të gjitha shkeljet e mjekut, të cilat sollën, sipas organit të akuzës, edhe vdekjen e vajzës. Ky raport është i firmosur nga mjekë ekspertë që kanë ndjekur hap pas hapi çdo veprim të kolegut të tyre. Po kështu, Prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykimit edhe kartelën mjekësore që sipas hetuesve në të nuk janë shënuar të dhënat e pacientes, fakti që ajo ka pasur hemorragji pas operacionit dhe ditët në vijim deri sa gjeti vdekjen në spitalin civil në Tiranë. Në proces, prokurorja e çështjes kërkoi të thirren si dëshmitarë jo vetëm familjarët e të ndjerës, por edhe mjekë, këta të fundit të kërkuar në gjyq edhe nga avokati mbrojtës i të pandehurit. Përveç kirurgut që e ka operuar vajzën në klinikën e tij private në Pogradec, çështja e vdekjes së Matilda Petriti fillimisht pati nën hetim edhe mjekë të tjerë të ORL-së në kryeqytet, kolegë të Hoxhallarit, pas diskutimeve se përse mjekët neglizhuan të ndërhynin për ta shpëtuar vajzën me gjithë gjendjen e saj të rënduar. Por, mjeku Hoxhallari mbërriti i vetëm në bankën e të akuzuarve dhe do të përgjigjet për akuzën e mjekimit të pakujdesshëm ndaj 17-vjeçares Petriti.