Zbulimi i bazilikës, zhvendoset në nëntor busti i Aqif Pashës

Busti i Aqif Pashës në Elbasan
ELBASAN/ Miratohet propozimi i kryebashkiakut.
Brenda nëntorit do të zhvendoset busti i Aqif Pashë Biçakçiut, (Elbasani). Vendimi për të larguar monumentin e nismëtarit për shpalljen e pavarësisë së Elbasanit vjen pas zbulimit të bazilikës në qendër të qytetit. Kjo ishte dhe një ndër pikat e rëndësishme të rëndit të ditës në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak. Duke qenë se jemi shumë pranë 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, mendoj se zhvendosja e bustit të Aqif Pashë Elbasanit nga vendi aktual, drejt një vendi tjetër më lartësues për figurën e tij, do të ishte mirë, pasi vendndodhja e tanishme pengon edhe gërmimet në qendrën monumentale të bazilikës së Elbasanit, e cila shumë shpejt do të izolohet me xham, tha kreu i Bashkisë Qazim Sejdini. Busti i Aqif Pashë Biçakçiut ndodhet shumë pranë rrapit të Bezistanit dhe bazilikës paleokristiane, zbuluar në vitin 2007 në qendër të qytetit. Propozimi i Sejdinit u mbështet nga këshilltarët, të cilët kërkuan edhe mendimin e intelektualëve të qytetit, për të gjetur një vend të përshtatshëm për bustin e patriotit elbasanas. Nga ana e tij, kryebashkiaku shprehu pakënaqësi për intelektualët elbasanas, që sipas tij janë tepër inaktivë për vendimet që merr Bashkia e Elbasanit, edhe pse gjithnjë u është kërkuar ndihmë në vendime të ndryshme që merren për qytetin. Gjithsesi, kreu i Bashkisë propozoi tri vende për zhvendosjen e bustit. Sipas tij, njëri prej tyre është ai pranë portës së Kalasë, tjetri pranë sheshit 1 Maji, si edhe te lulishtja e re pranë Bashkisë së qytetit, vend ku mendohet se mund të zhvendoset busti, kjo nga reagimi dhe pëlqimi i këshilltarëve. Ndërsa vendimi për këtë u la që të merret në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak në fund të muajit shtator. Burime të Bashkisë thanë se para se të diskutohej në mbledhjen e Këshillit Bashkiak zhvendosja e bustit të Aqif Pashë Biçakçiut, u mor dhe miratimi i familjarëve, pasardhës të patriotit.
Monumenti i Aqif Pashë Biçakçiut është një vepër e rëndësishme e skulpturës monumentale, e ngritur pas vitit 1990 dhe përuruar më 25 nëntor të vitit 1995. Ai ndodhet në sheshin me të njëjtin emër, Aqif Pashë Biçakçiu, vepër e skulptorit Bujar Kapllani, realizuar në bronz me një lartësi prej dy metrash. Në bazament është skalitur telegrami i dërguar nga Ismail Qemali, me urimin dhe falënderimet drejtuar Aqif Pashës për aktin e pazëvendësueshëm që kreu, atë të shpalljes së pavarësisë së qytetit të Elbasanit. Mbi këtë bazament ngrihet figura në bronz e patriotit me sfond hapësirën e degëve të rrapit dhe muret e kalasë, është shprehur skulptori pas përfundimit të veprës.
Tri pikat e zhvendosjes
1- Pranë portës së Kalasë
2- Pranë sheshit 1 Maji
3- Te lulishtja e re pranë Bashkisë
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU