Xhirim gomash në mes të qytetit, përplas për vdekje kalimtarin

Makina e aksidentit në trotuar
LEZHE – Tentativa për të bërë spektakël me makinë në qytetin e Lezhës i ka kushtuar jetën një të kalimtari 24-vjeçar. Emirjan Pjetri nga lagjja Xhenio e Shëngjinit ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Lezhës, ndërsa policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin. I riu po qëndronte në trotuar, kur një automjet me targa italiane doli nga rruga dhe pasi u përplas me shtyllën e ndriçimit, mori para edhe 24-vjeçarin Pjetri. Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në aksin që lidh shëtitoren me rrugën e gjimnazit, ndërsa drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, ndërsa bënte edhe manovra të rrezikshme. Si pasojë e kësaj mënyre të lëvizuri, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit të tij dhe ka përfunduar në trotuar, pikërisht aty ku qëndronte 24-vjeçari Pjetri. Ky i fundit u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës në gjendje të rëndë, por ka ndërruar jetë gjatë mbrëmjes. Ekspertë të Policisë Rrugore kanë nisur një hetim të hollësishëm në lidhje me këtë aksident, por nuk kanë bërë të ditur emrin e drejtuesit të mjetit deri në sqarimin e plotë të rrethanave. Nga të dhënat e para është bërë e ditur se drejtuesi i mjetit tip Fiat, që shkaktoi aksidentin, ka tentuar të kryejë një xhirim gomash, ndonëse ndodhej në një rrugë të populluar, e për pasojë duke u bërë edhe shkaktar për aksidentin që i kushtoi jetën 24-vjeçarit Emirjan Pjetri. gj.f