E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, 700 faqe kundër Mediut

Një dosje prej 700 faqesh, me dokumente dhe fakte që hedhin dritë mbi përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për dosjen "Gërdeci" i është dërguar Parlamentit të Shqipërisë nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo e fundit, duke dashur të bindë parlamentarët për t‘i hequr imunitetin e deputetit Mediut ka dërguar dhjetëra urdhra të ish-ministrit, të cilat i adresohen Shtabit të Përgjithshëm, i cili shpeshherë urdhërohej në mënyrë të padrejtë. Krahas dosjes voluminoze, kryeprokurorja Ina Rama ka dërguar në Kuvend një shkresë, i cila i është bashkangjitur dosjes, ku thuhet se të gjithë personat, qofshin këta deputetë, nuk lejohen të publikojnë dosjen, pasi ka materiale top-sekret. Shkresa vijon se nëse shkelet urdhri i kryeprokurores, personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore. Burime konfidenciale nga organi i akuzës thanë për "Shqip" se në shkresën e dytë është bërë e qartë se heqja e imunitetit do të ndihmojë Prokurorinë të hetojë ish-ministrin e Mbrojtjes për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, 300 u plagosën dhe u shkatërruan mijëra shtëpi e biznese. Sipas kryeprokurores Ina Rama ekzistojnë disa urdhra të ish-ministrit në kundërshtim me aktet nënligjore. Këto urdhra, sipas akuzës, kanë të bëjnë me mënjanimin e Shtabit të Përgjithshëm në procesin e caktimit të vendit të ngritjes së fabrikës, si dhe në urdhra që i jepnin të drejtën "SAC- AlbaDemil" të demontonte fishekë të kalibrave që nuk parashikoheshin në vendimet për t‘ia ngarkuar këtë proces "SAC-AlbaDemil". Prova më e fortë e organit të akuzës, të cilën ia ka dërguar Kuvendit është urdhri 550 i Mediut. Prokuroria thotë se në vijim të aktivitetit të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, ka miratuar urdhrin nr. 550 "Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave". Hartimi i projekturdhrit është bërë nga stafi i ish-ministrit. Një urdhër tjetër ka dalë nga Mediu, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative. Prokuroria tha se ka bllokuar një memo për dhënie mendimi nga shefi i shtabit në lidhje me repartin e Bërzhitës, ku mendohej se do të kryhej demontimi i municioneve. Ndërkohë, një nga provat kryesore që hedh dritë mbi abuzimet e ish-ministrit Mediu është edhe fakti se gjashtë ditë para se të firmoste urdhrin për zbatimin e vendimit të KM, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-Albademil, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekturdhrit të dërguar për t‘u nënshkruar tek ish-ministri.

Kuvendi

Në mbledhjen e fundit të këshillit të imuniteteve, anëtari i këtij këshilli, deputeti i PR-së, Arian madhi, i kërkoi Kryetares së Kuvendit, Topalli, që institucioni i akuzës të paraqiste dokumente shtesë që të analizohen nga këshilli përpara se t‘i kërkojnë ose jo Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Kërkesa u pranua nga Topalli, e cila nëpërmjet një shkrese ia bëri të ditur këtë kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit brenda një javë i ka vënë Kuvendit në dispozicion të gjithë dosjen që organi i akuzës ka për deputetin Mediu. Dosja ka mbërritur dje në orët e para të paradites dhe është mbajtur mjaft sekret nga drejtuesit e Kuvendit. Askush nuk ka bërë të mundur vënien në dispozicion të gazetarëve të interesuar për një kopje të këtij materiali. Sipas drejtuesve të Kuvendit, kjo ishte e pamundur, pasi me urdhër të kryeprokurores Ina Rama dosja ishte sekret, pasi mbi të po hetojnë prokuroret ndaj ajo nuk mund t‘i jepet për botim medias. Gjithashtu, nga funksionarët e lartë të Kuvendit bëhet e ditur se kryeprokurorja ka shkuar deri aty sa ka kërcënuar funksionarët e Kuvendit duke iu bërë të ditur nëpërmjet një shkrese se kush e nxjerr për botim këtë dosje do të ndiqet penalisht. Me gjithë insistimin e medias, funksionarët e lartë të Kuvendit nuk kanë dashur të rriskojnë për një gjë të tillë ndaj nuk kanë nxjerrë asnjë kopje të kësaj dosjeje, e cila është e përbërë prej rreth 700 faqesh. Mësohet se aktualisht në Kuvend janë vetëm dhjetë kopje të kësaj dosjeje, e cila do t‘u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Rregullores. Kjo dosje do të shqyrtohet prej tyre, por pa komentuar më pas detajet para mediave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›