E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen minerale në Afganistan

E përditshmja amerikane, "New York Times", ka njoftuar se gjeologët amerikanë dhe zyrtarët e Pantagonit, kanë zbuluar në Afganistan depozita minerale, në vlerë prej 1 mijë miliardë dollarë.

Komandanti i komandës qendrore amerikane, gjenerali Dejvid Petraus, i ka thënë gazetës se zbulimi është "tejet i rëndësishëm", ndërsa një dokument i Pentagonit raportohet të ketë thënë se Afganistani mund të bëhet "Arabia Saudite e litiumit".

Litiumi është metal që përdoret për bateritë në shumë lap-topë dhe telefona celularë.

Raportet thonë se depozitat janë kryesisht nga hekuri dhe bakri, por gjeologët gjithashtu kanë zbuluar metale industriale si litiumi dhe një sasi domethënëse të arit.

Zyrtarët thanë se mundësitë e shfrytëzimit të pasurisë së minierave në Afganistan mund ta ndihmojnë vendin që të dalë nga varfëria.

“Ekziston një potencial i jashtëzakonshëm. Natyrisht, ekzistojnë shumë pikëpyetje, por mendoj se potenciali është vërtetë i jashtëzakonshëm”, tha Petraeus.

Gjatë vizitës që ja bëri muajin e kaluar Washingtonit, presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, theksoi se depozitat e pazbuluara të mineraleve në vendin e tij mund të jenë edhe më të mëdha.

Këto minerale paraqesin një “mundësi masive”, kishte deklaruar Karzai më 13 maj, gjatë takimit me sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›