E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mrekullitë e Gjirokastrës, së shpejti në RAI DUE

Rrjeti televiziv publik Italian RAI, do të shfaqë së shpejti një dokumentar për Gjirokastrën. Vlerat historike, turistike dhe trashëgimia kulturore e zonës së Gjirokastrës do të shfaqen për miliona teleshikues nëpërmjet një filmi dokumentar, i cili konsiderohet mjaft i veçantë. Të drejtën e transmetimit të këtij dokumentari e ka program i dytë televiziv italian RAI DUE. Ditët e fundit, në Gjirokastër ka qenë i pranishëm një ekip televiziv italian me synimin për të realizuar një dokumentar, ku do të prezantohen vlerat e veçanta historike, arkitektonike dhe turistike që mbart qyteti i gurtë. Ekipi televiziv italian drejtohej nga kryeredaktori i TG 2, Ulderico Piernoli. Krahas gazetarëve dhe kameramanëve, pjesë e grupit të mbërritur nga Italia kanë qenë edhe specialistë të arkeologjisë nënujore dhe speriologjisë të drejtuar nga përfaqësuesi i shoqatës A.S.S.O, Mario Masoli. Infrastruktura televizive dhe kërkimore është mbështetur teknikisht edhe nga Guardia di Financa. Grupi i RAI DUE ka realizuar xhirime të ndryshme në zonën historike të Gjirokastrës, kështjellën e gurtë, komplekset muzealë etj. Jam i mrekulluar nga gjithë këto vlera dhe pasuri të veçanta dhe origjinale që mbart ky qytet, tha kryeredaktori i TG 2, Piernoli. Sipas tij, dokumentari në fjalë do të ketë pikërisht si synim promovimin dhe publikimin e këtyre vlerave në shërbim të njohjes dhe informimit të miliona teleshikuesve të RAI DUE për vlerat turistike që mbart Gjirokastra e gurtë. Një vend të veçantë në këtë dokumentar zënë edhe xhirimet e realizuara në zona të ndryshme turistike dhe natyrore që rrethojnë Gjirokastrën. Pjesë e tyre janë edhe filmimet e realizuara nga gazetarët italianë në dy prej burimeve karstike që ndodhen fare pranë qytetit të Gjirokastrës, në shpellën e Skotinisë dhe Mëmën e Viroit. Aq sa na mundësonte koha e qëndrimit këtu në Gjirokastër ne realizuam disa zhytje studimore në shpellën karstike të Skotinisë dhe burimin e Viroit, u shpreh për gazetën drejtuesi i A.S.S.O, Mario Masoli. Sipas tij, kjo shoqatë ka në qendër arkeologjinë nënujore dhe studimet speriologjike dhe e shikon me mjaft interes përfshirjen në punën studimore edhe kërkimet në lidhje me vlerat natyrore dhe ambientale të burimit të Skotinisë dhe Viroit. Për studiuesit italianë, me vlerat interesante që mbartin këto dy burime mund të kthehen në pika të preferuara për tu vizituar nga turistët. Madje përfaqësuesit e kësaj shoqate premtojnë të rikthehen sërish në verë për të bërë kërkime dhe studime më të detajuara në lidhje me këto burime karstike nëntokësore. Në kuadër të mbështetjes logjistike që kemi dhënë për realizimin e dokumentarëve të ndryshëm në lidhje me promovimin e turizmit shqiptar edhe kësaj here menduam të vinim në shërbim të këtij qëllimi infrastrukturën tonë teknike për realizimin e dokumentarit në zonën e Gjirokastrës turistike-pohon kapiteni i Guardia di Financës Giampiero Karieri. Falë xhirimeve interesante të realizuara nga ekipi i RAI DUE synohet që ky dokumentar të ngjallë interesin e teleshikuesve në vende të ndryshme të botës për vlerat turistike që mbart Gjirokastra e gurtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›