E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen objekte në kishën e Nartës

Restaurimi Specialistët shprehen se kanë vlera historike

Gjatë restaurimit të kishës “Shën e Diela” në Nartë të Vlorës janë gjetur nën rrënojat e saj kolona dhe një kapitel që i takojnë periudhës bizantine. Nga një zjarr i rënë para një viti, kisha e Nartës pothuajse u dogj totalisht dhe sot në fazën e parë të restaurimit zbulohen objekte në themele. Sipas specialistit të institutit të muzeve në Vlorë, Novruz Bajrami, këto janë vlera kulturore monumentale dhe janë objekte autoktone të zonës së Nartës. Bëhet fjalë për një kolonë me diametër rreth 40 cm, e zbukuruar, dhe një kapitel me motive floreale. Mendohet që aty të ketë qenë një kishë e vjetër e shekullit XII. Sipas specialistit Bajrami, kisha e Nartës është restauruar disa herë. Ndërhyrja më e fundit ka qenë në 1808, shenjat e së cilës dallohen në pamjen ballore të kësaj kishe. Sipas të dhënave, kjo kishë është ringritur disa herë pas rrënimeve të njëpasnjëshme. Po ashtu, nën rrënojat e saj janë gjetur dhe skelete njerëzish. Për këta të fundit specialistët shpjegojnë se mund t’u përkasin personave që shërbenin në kishë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›