Arrestohen në Londër, dy shqiptarë të kërkuar
LONDER – Arrestohen në kryeqytetin britanik dy emigrantë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Hamit Musai dhe Astrit Bulla, i pari i shpallur në kërkim pasi është larguar nga burgjet gjatë vitit 1997, ndërsa i dyti ndodhet në kërkim për veprën penale të grabitjes me armë, ndërkohë të dy tashmë ndodhen në pritje të procedurave për ekstradim me pranga në Tiranë. Sipas gazetarit në Londër, Muhamed Veliu skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard ka prangosur Hamit Musain, i cili është dënuar me 17 vjet heqje lirie nga drejtësia shqiptare. Nga ky dënim, Musai kishte vuajtur shumë pak, pasi ishte arratisur nga burgu gjatë rrëmujave të vitit 1997. Prej 12 vjetësh ai rezultonte person në kërkim, po kishte qenë e pamundur që të rivihej në pranga, pasi ishte larguar jashtë vendit. Arrestimi i tij u bë i mundur pasi Interpol Tirana kishte siguruar të dhënat për vendndodhjen e tij në Angli. Të paktën, që prej vitit 1998 Musai jetonte në Londër, i kamufluar me identitete të rreme. Pikërisht, këto identitete e kishin ndihmuar të mos binte në pranga, megjithëse emri i tij real ka qëndruar që nga viti 1997 në listën e personave në kërkim. Ndërkohë, skuadra e ekstradimeve në Londër ka ekzekutuar një tjetër mandat arresti ndërkombëtar duke arrestuar një tjetër të kërkuar shqiptar. Astrit Bulla është prangosur për llogari të Interpol Tiranës pasi akuzohet nga prokuroria shqiptare si i dyshuar për grabitje me armë. Vepra për të cilën akuzohet Bulla ka ndodhur në vitin 1998. Në vitin 2000 Gjykata e Kolonjës ka pushuar gjykimin, ndërsa Apeli Korçë e nuk ka pranuar ankimin e prokurorisë kundër Bullës. Pas kësaj çështja ka mbërritur në Gjykatën e Lartë, ky është vendosur rigjykimi i saj në Apelin e Korçës. Pikërisht për këto arsye, Gjykata Londineze e Ekstradimeve ka vendosur që kërkesën e prokurorisë shqiptare në ngarkim të emigrantit 33 vjeçar nga fshati Matogjin i Vlorës, ta gjykojë në gjendje të lirë, kundrejt një garancie pasurore. Vetëm pak ditë më parë, dy të kërkuarit e tjerë nga drejtësia shqiptare, Afrim Sinani i arratisur nga burgu Bënçës, Tepelenë dhe Ilir Kumbaro, i akuzuar në dosjen “Remzi Hoxha”, që të dy të arrestuar në Londër, kanë humbur betejat e bllokimit të ekstradimit në Fakt dhe i janë drejtuar Apelit. f.m.