Zbulohet anija romake 2100-vjeçare
Një ekip studiues shqiptaro-amerikanë, pasi ka skanuar gjithë zonën me teknologjinë MultiBeam, ka lëshuar nga anija Herkules një robot për të hulumtuar anomalitë e hasura në hartën digjitale të nënujërave të Gadishullit Karaburun.
Pasi ka identifikuar disa mbetje anijesh të fundosura gjatë Luftës së Parë dhe të Luftës së Dytë Botërore roboti i anijes ka sjellë për herë të parë pamjet e një anijeje të mbytur diku mes shekulli II dhe I para erës sonë. Anija e fundosur në perëndim të ishullit të Sazanit, në një thellësi 50 metra, ka pasur në hambarët e saj mbi 300 amfora të ndryshme.
Anija e gjatë gati 30 metra, paraqet një zbulim mjaft të rrallë në Mesdhe. Pas zbulimit të anijes romake, arkeologu i Fondacionit RPM, Jef Royal, u shpreh se “kjo anije e gjetur është e rëndësishme, dhe është pjesë e një numri në rritje të anijeve të vjetra të zbuluara kohëve të fundit, në të cilat ndodhen amfora vere dhe prodhime të bregut ilir”.