Zbulohet baza e kartëmonedhave false

Paratë e falsifikuara, të bllokuara në Sarandë
SARANDE/ Arrestohet një nga autorët, tjetri në kërkim.
U nxorën në treg 500 mijë lekë, bllokohen të tjera.
SARANDE- Zbulohet baza e falsifikimit të kartëmonedhave, policia arreston një person, ndërsa një tjetër shpallet në kërkim. Operacioni u organizua në orët e vona të së martës në Sarandë, nga ku u sekuestruan 104 mijë lekë falsë. Ndërsa 500 mijë lekë të tjerë rezultojnë se janë hedhur në qarkullim nga personat që ishin në hetim që prej disa muajsh. Sipas burimeve të Policisë, informacioni është siguruar në rrugë operative që në nëntor 2011. Blutë nisën hetimet, derisa në orët e vona të së martës organizuan një operacion duke ndërhyrë në dy banesa në Lagjen Nr.4 të Sarandës. Në njërën prej tyre u arrestua shtetasi 22- vjeçar Klauid Kadëna, nga Saranda. Burime të Policisë bënë të ditur se pas hetimeve të kryera nga Prokuroria për veprimtarinë e Kadënës, Gjykata e Sarandës kishte vendosur masën e sigurisë arrest në burg. Ndërkaq, në banesën tjetër ku u ushtrua kontroll, nuk është gjetur i dyshuari Saimir Selmani, 28 vjeç, edhe ky i përfshirë në veprimtarinë e hetuar prej tre muajsh. Selmani rezulton person me precedentë
penalë, pasi në 2002-shin ka qenë i arrestuar për grabitjen e një makine po në Sarandë, si dhe i dënuar më parë për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Duke mos u gjetur në banesë, 28-vjeçari është shpallur në kërkim. Nga kontrollet e ushtruara në banesat e dy të dyshuarve është zbuluar edhe baza e falsifikimit të monedhave. Mësohet se janë sekuestruar 52 kartëmonedha të falsifikuara, të prerjes 2 mijë lekëshe, me vlerë totale 104 mijë lekë, si dhe një printer e skaner. Sipas Policisë, nga hetimet dhe përgjimet e kryera rezulton se këta persona kanë hedhur në treg të paktën 500 mijë lekë falsë, kartëmonedha të prerjeve 1 mijë e 2 mijë lekëshe. Mësohet se ata e blinin formatin e stampuar me rreth 40 për qind të elementeve të gatshme. Ndërsa pjesën tjetër arrinin ta falsifikonin vetë në laboratorin e tyre. Një kartëmonedhë e zakonshme ka rreth 27 elemente sigurie. Por sipas burimeve nga grupi i hetimit, të rinjtë kishin arritur të falsifikonin shumicën e këtyre elementeve, duke e përafruar kartëmonedhat me origjinalin. sh.d
500 mije lekë janë hedhur në qarkullim në qytetin e Sarandës gjatë muajve të fundit nga të rinjtë. Policia ra në gjurmët e tyre që në muajin nëntor dhe nisi hetimet, duke e mbajtur veprimtarinë e tyre në survejim të plotë.
Bashkëpunëtorët
Policia e Sarandës, bashkë me Prokurorinë, po vazhdon punën për të zbardhur personat e tjerë të implikuar në rrjetin e falsifikimit të parave. Nga hetimet e kryera për këtë rast është verifikuar se dy personat e identifikuar tashmë (njëri i arrestuar), merrnin kopjet e kartëmonedhave, të falsifikuara në masën 30-40 për qind e më pas ato prodhoheshin në bazën e Sarandës.