Vrau shokun në Peshkopi, në gjyq 17-vjeçari
TIRANE – Zënka mes disa nxënësve të shkollës së mesme “Nazmi Rushiti” në Peshkopi për shoqet e klasës, përfundoi me një të vrarë me thikë në korridorin e shkollës paraditen e 28 tetorit 2011. Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për këtë ngjarje, duke akuzuar si autor të vrasjes 17-vjeçarin Ermal Reçi. Dosja në ngarkim të tij u depozitua dje për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Ai akuzohet për “vrasjen në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të Krenar Bardullës. Sipas Prokurorisë, vrasja kishte ndodhur vetëm pak pasi një shok i viktimës Bardulla, ishte konfliktuar me fjalë me të dyshuarin. “Vrasja e këtij shtetasi rezultoi të jetë kryer në ambientet e shkollës. Në orën e tretë të mësimit, vajzat e klasës I A të shkollës së mesme profesionale ishin duke luajtur volejboll në ambientet e kësaj shkolle. I pandehuri Ermal Reçi ka ndërhyrë duke u marrë topin. Ky i fundit, nxënës në këtë shkollë, por në klasat më të larta. Nxënësi Naim C. i është drejtuar atij duke i thënë që t’i jepte topin vajzave të klasës së tij. Kur janë larguar nxënësit, i pandehuri i është drejtuar shtetasit Naim C. duke i thënë se ‘çfarë kishte që ndërhynte’. I pranishëm në këtë moment ka qenë dhe viktima, shtetasi Krenar Bardulla, i cili ishte shok me shtetasin Naim C. Naimi i është drejtuar duke i thënë të pandehurit që ta linin këtë grindje, pasi ishin në ambientet e shkollës. Edhe viktima Krenar Bardulla ka ndërhyrë duke i thënë se shkolla nuk ishte vendi i duhur për t’u konfliktuar. I pandehuri i është drejtuar viktimës (Krenarit) duke i thënë: ‘Po ty çfarë të duhet që ndërhyn?’”, thuhej në kërkesën për gjykim të Prokurorisë. Po sipas akuzës, në vijim, i dyshuari është larguar për pak minuta nga shkolla dhe më pas është kthyer sërish aty, por këtë herë me një thikë me vete. Më pas Reçi është konfliktuar me viktimën Bardulla në korridorin e katit të tretë. “I pandehuri, i cili në dorën e djathtë po mbante një thikë, po qëllonte Krenarin, ndërsa në dorën e majtë mbante një shkop të mbështjellë me izolant. Shtetasi Naim C. me të shpejtë ka ndërhyrë duke e goditur në kokë të pandehurin dhe njëkohësisht i ka kapur atij dorën në të cilën mbante thikën. I pandehuri ka reaguar duke e kafshuar atë dhe e ka dëmtuar me thikë nga duart. Duke e shtyrë, Naimi e ka futur të pandehurin në një klasë dhe i ka kërkuar atij që të hidhte thikën. Ndërkohë, disa nxënës të shkollës e kanë marrë në krahë Krenarin (viktimën) e plagosur dhe me të shpejtë janë nisur për në spitalin civil Peshkopi. Pas tyre, ka shkuar dhe Naimi, dhe kur ka shkuar atje, ka mësuar se Krenari kishte ndërruar jetë”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë. ar.ba