Shembet reparti ushtarak, gjendet i vdekur 16-vjeçari
ELBASAN/ Adoleshenti po mblidhte skrap. Bie soleta e godinës.
Ish-godinat e amortizuara të reparteve ushtarake vijojnë të marrin të tjera jetë, në tentativë për të nxjerrë prej tyre skrap. Viktima e radhës është një 16-vjeçar, i cili nxjerrjen e hekurit e kishte si burim të vetëm të ardhurash për familjen e tij. Ai e shiste atë në pikat e licencuara të qytetit, por tentativa e ditës së martë për të nxjerrë hekur ka rezultuar fatale për të, pasi godina e ndërtesës është shembur. Mësohet se 16-vjeçari I.Shabani është nisur që në orët e para të së martës për tek ish-godina e prishur e repartit ushtarak, por nuk është kthyer më i gjallë prej andej. Ngjarja tronditi të gjithë fshatin Gjinar, ku ndodhi tragjedia me adoleshentin. Ai u gjet një ditë më pas (dje) nën rrënojat e godinës, pa jetë. Policia ka konfirmuar zyrtarisht lajmin se “16-vjeçari Shabani ka qenë duke mbledhur skrap në ish-godinat e repartit ushtarak, kur një pjesë e murit të soletës ka rënë dhe i ka marrë jetën adoleshentit”. Blutë kanë nisur hetimet dhe kanë arritur në konkluzionin paraprak se ngjarja ka qenë aksidentale. Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjinarit, Kristaq Shqau, pohoi se në fshatin Gjinar janë vetëm tri familje që i përkasin komuniteti rom, mes të cilave edhe ajo e 16-vjeçarit Shabani. Ato jetojnë në kushte të vështira. Sipas kryekomunarit, familja e adoleshentit është një ndër më të varfrat në fshat, çka e ka detyruar viktimën të mendojë për të siguruar jetesën.
Familjarët e viktimës i kanë pohuar grupit të hetimit se ai ishte nisur i vetëm mesditën e së martës drejt vendit të quajtur “Fushë-Qorre”, rrugë që të çon në Malin e Bukanikut, ku edhe ndodhej ndërtesa e amortizuar. Me vete ai kishte edhe disa pajisje hekuri, me të cilat do të shembte godinën për të mbledhur skrapin. Por fatkeqësisht, gjatë kohës që po shkatërronte soletën e godinës për të marrë hekurin, ajo është shembur dhe e ka lënë atë të vdekur në vend. Policia është njoftuar nga të afërmit e 16-vjeçarit, pasi ai nuk ishte kthyer gjatë të gjithë natës në banesë. Pasi shkuan në fshatin Gjinar, të komunës me të njëjtin emër, familjarët i pohuan se djali i tyre ishte nisur një ditë më parë për tek ish-godina e repartit ushtarak, por nuk ishte kthyer më në banesë. Blutë janë nisur drejt ish-godinës ushtarake dhe gjetën nën rrënojat e soletës dhe murit trupin e pajetë të 16- vjeçarit. “Ishin familje e varfër. Viktima I. Shabani ishte djalë i vetëm, kishte dhe një motër. Ai mblidhte kanaçe për të jetuar, pasi nuk kishin asnjë ndihmë tjetër. Është një tragjedi që i ka ndodhur kësaj familjeje të varfër”, u shpreh kryetari i komunës. Ky është rasti i dytë që të rinjtë vdesin nën rrënojat e godinave të amortizuara, në tentativë për të mbledhur skrap. Pak kohë më parë, një 16-vjeçar nga fshati Katund i Ri i Elbasanit, humbi jetën pasi ra nga një lartësi në ish-godinat e Metalurgjikut, teksa po mblidhte hekurishte.
Kryekomunari
Kreu i komunës, Gjinar Kristaq Shqau, pohoi dje se familja Shabani ishte ndër më të varfrat e fshatit. Për këtë shkak, adoleshenti dilte dhe mblidhte hekurishte me qëllim që t’i shiste ato. Familja e tij nuk kishte asnjë burim tjetër të ardhurash, ndaj ai ishte i detyruar të gjente mënyra të tjera për të nxjerrë paratë e bukës, ndonëse edhe të rrezikshme për jetën.Precedenti
18-vjeçari që mblidhte hekur, ra nga lartësia
Emanuel Mara gjeti vdekjen më 17 korrik të vitit të kaluar, pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme në tentativë për të mbledhur skrap. 18-vjeçari nga fshati Katund i Ri i komunës Bradashesh kishte shkuar tek uzina 12, në ambientet e ish-uzinës së kobaltit me qëllimin për të marrë hekur. Por gjatë kryerjes së punës, ai aksidentalisht ka rënë nga një lartësi rreth 14 metra e godinës tejet të amortizuar, pronë e shtetit, e cila prej 20 vjetësh nuk vihej në përdorim. Të afërmit e viktimës u shprehën se familja e tij ishte e varfër, ndërsa ai punonte për të ushqyer prindërit dhe dy motrat më të vogla
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU