Vlorë, borxhi i të birit, plagoset 55-vjeçari

Vendi i plagosjes
VLORE – Plagoset me armë një 55-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në afërsi të ish-Shtëpisë së Oficerëve në lagjen “28 Nëntori”, në Vlorë. Një person në motor, i cili ishte armatosur me kallashnikov, ka qëlluar në drejtim të Zaho Danajt, banor i Llakatundit, duke e lënë të plagosur në këmbë. Policia, e cila shkoi në vendngjarje, ka shoqëruar të plagosurin për në spital. Pas marrjes në pyetje të Danajt, ai ka pohuar se e njihte personin që qëlloi dhe, sipas tij, ka lidhje me një borxh të të birit në Itali. Bazuar në dëshminë e të plagosurit dhe hetimet e Policisë, autori nuk ka pasur qëllim ta eliminojë fizikisht 55-vjeçarin, por vetëm ta trembë atë. Sipas tij, nëse do të kishin pasur qëllim ta ekzekutonin, nuk do qëllonin në drejtim të këmbëve të tij, por do ta gjuanin drejtpërdrejt me plumbat e kallashnikovit. Gjithçka mendohet të jetë kryer për shkak të borxhit që u ka djali i 55-vjeçarit personave të tjerë dhe që nuk ua ka kthyer prej disa kohësh. Mes tyre nuk kanë munguar dhe debatet e herëpashershme. Policia deklaroi se ka identifikuar autorin dhe ka shpallur atë në kërkim. Nëpër rrugët kryesore janë vendosur postblloqe, për të vënë në pranga personin e armatosur. q.b