E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet droga drejt Greqisë

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

"Porosia e largët" shkatërron rrjetin e trafikut të narkotikëve nga Vlora me destinacion Greqinë. Si rezultat i këtij operacioni, nëntë persona përfunduan në pranga, ndërsa u sekuestrua sasia prej 28.1 kilogramë kanabis sativa. Arrestimi i trafikantëve që punonin me porosi të caktuara në drejtim të shtetit grek, u krye pasditen e së enjtes, duke u finalizuar gjatë mbrëmjes deri në prangosjen e të nëntë të implikuarve. Policia publikoi dje emrat e tyre, të cilët janë: Klodian Ibrahimi, Hamit Hoxha, Dashnor Lumaj, Ruhi Matuka, Gjergj Rustemi, Klajdi Malollari, Florian Sadikaj, Elton Islamaj dhe Rexhep Selimaj. Mësohet se të gjithë të arrestuarit janë banues në Vlorë. Ata ishin vënë në hetim prej mëse një muaji nga Prokuroria e Vlorës. Gjatë hetimeve rezultoi se ishin të implikuar në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Mësohet se aksioni për goditjen e këtij rrjeti nisi në bazë të urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Vlorës. Kjo e fundit bëri të ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore dhe përgjimeve të ligjshme të kryera prej mëse 40 ditësh. Hetimi është kryer me mjete të sofistikuara dhe bashkëkohore deri në finalizimin e këtij operacioni. "Të nëntë personat u kapën në kushtet e flagrancës teksa po transportonin një sasi të konsiderueshme droge të llojit kanabis sativa, e cila kishte destinacion Greqinë. Bllo-kuam edhe dy mjetet e transportit si dhe 10 celularë", bëri të ditur policia. Aksioni nisi të enjten rreth orës 17:00 në aksin Vlorë-Fier. Në vendin e quajtur Bestrovë e Vogël u kapën në flagrancë Ruhi Matuka dhe Klodion Ibrahimi. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre taksi tip "Benz", me targa VL 574, u gjet një çantë me kanabis me peshë 4 kg. Në kuadër të të njëjtit operacion, rreth orës 19:20 u zhvillua kontroll edhe në banesën e Hamit Hoxhës në fshatin Llakatund. Gjatë kontrollit u gjetën 4 thasë me ngjyrë të bardhë, të cilët kishin 24 kg bimë narkotike si dhe një sasi tjetër. Policia tha se në total gjatë këtij aksioni u sekuestruan 28.1 kg kanabis, mjeti "Benz" si dhe një tjetër makinë tip "Toyota" ngjyrë portokalli me targa italiane, LA 099 VVM. Gjithashtu u bllokua dhe një pasaportë e falsifikuar.

Të arrestuar

Klodian Ibrahimi,  23 vjeç
Hamit Hoxha,       42 vjeç
Dashnor Lumaj,   34 vjeç
Ruhi Matuka,       42 vjeç
Gjergj Rustemi,    42 vjeç
Klajdi Malollari,    23 vjeç
Florian Sadikaj,    24 vjeç
Elton Islamaj,      18 vjeç
Rexhep Selimaj,   30 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›