13-vjeçari qëllon me kaçavidë shokun e klasës
VLORE - Një 13-vjeçar plagos bashkëmoshatarin e tij me kaçavidë, pas sherrit në oborrin e shkollës. Ngjarja e rëndë ndodhi mes dy nxënësve të shkollës 9-vjeçare "28 Nëntori", në qendër të qytetit të Vlorës. Protagonistët e konfliktit janë të dy 13-vjeçarë, me inicialet V.G. dhe A.B. Ky i fundit mësohet se pasi ka mbaruar orën e pestë të mësimit, ka dalë në oborrin e shkollës dhe ka nisur të grindet me shokun e tij. Ata janë përleshur dhe më pas fëmija A.B. nxori nga çanta një kaçavidë dhe qëlloi shokun e tij të klasës në shpatull, duke i shkaktuar atij plagë. Pas ngjarjes, i mituri u largua nga vendi për t'u shoqëruar në polici disa orë më pas. Ai do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën e plagosjes së lehtë me dashje. I plagosuri u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut. Pas kësaj ngjarje që tmerroi fëmijët, drejtoria e shkollës është mbledhur për të vendosur mbi masën që do të merret për autorin. q.b