Zbulohet droga në mes djathit, drejt Greqisë

Droga e kapur në Gjirokastër
GJIROKASTER/SARANDE – Zbulohet marijuanë e fshehur në kutitë prej teneqeje me djathë, në tentativë të kalojë kufirin në Greqi. Policia Kufitare e Kakavijës sekuestroi dje 12 kg marijuanë që ishte fshehur në shëllirën dhe djathin e depozituar në teneqetë, që ishin gati për t’u eksportuar në Greqi me një prej autobusëve të linjave me Greqinë. Axhem Hysometaj, 49 vjeç, nga Gjirokastra, u arrestua dhe më pas u dërgua në Tiranë për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. “Sasia e marijuanës ishte e fshehur në teneqetë me djathë për të shmangur nuhatjen e qenit gjurmues apo dhe kontrollorët në portat dalëse të shtetit shqiptar, në Kakavijë”, bëri të ditur Policia. Policia Kufitare ishte vënë në dijeni të ekzistencës së një sasie të pacaktuar marijuane nga Shqipëria në Greqi përmes autobusëve. Rreth orës 10:30, në Kakavijë mbërriti autobusi i dyshuar, brenda të cilit ndodhej marijuana dhe poseduesi i saj, që do ta kalonte për në Greqi. “Në kutitë e metalta, përveç djathit dhe shëllirës, gjendeshin edhe dhjetë pako në formë katrore të mbushura me marijuanë, me peshë për secilën jo më shumë se 1.2 kg”, tha Policia. Ndërkaq, pas një hetimi njëmujor, Policia e Sarandës finalizoi mbrëmjen e së dielës operacionin e koduar “Tranzit” dhe ndaloi katër të rinj nga Vlora. “Alfons Dervishaj, 25 vjeç, Kiri Sinaj, 23 vjeç, Ledio Haxhiraj, 22 vjeç dhe Shpëtim (Ardit) Sela, 26 vjeç, u kapën në flagrancë me një sasi prej 41.8 kg drogë e dyshuar si e llojit marijuanë. Sipas Policisë, droga ishte marrë në Lazarat dhe kishte destinacion Greqinë. Sasia ishte e ndarë në dy çanta dhe secila në pako me nga 1 kg secila. p.n/sh.d