E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vëllezër rrahin efektivat e thyejnë makinën e policisë

TIRANE – Tre pjesëtarë të një familjeje, nëna, babai dhe djali kanë përfunduar në pranga, pasi kanë kundërshtuar e kanë rrahur forcat e rendit, duke thyer makinën e Policisë së Komisariatit Nr.3. Ndërsa dy djemtë e tjerë të familjes, të cilët kanë bashkëpunuar në incidentin gjatë ndërhyrjes së policisë janë marrë në hetim dhe ndaj tyre ka nisur procedim penal në gjendje të lirë. Ngjarja ka nisur nga mosbindja ndaj urdhrit të postbllokut të Policisë nga ana e 23-vjeçarit Çlirim Mata, që lëvizte me një motor pa targa. Kjo situatë ka shkaktuar incidentin me pikënisje te kryqëzimi i rrugës “Jordan Misja”, kur makina me targë Policia 2132 ka ndjekur motorin tip “Jamaha”, me ngjyrë të kuqe pa targa. Çlirim Mata, i cili drejtonte motorin, edhe pse ka parë që makina e Policisë i është vënë nga pas me sirenat e ndezura, i ka shtuar edhe më shumë gazin mjetit të tij dhe nuk ka ndaluar derisa i është afruar shtëpisë, në zonën pranë ish-Filantos, te rruga “Don Bosko”. Por në kohën që efektivat e Policisë po kryenin veprimet për sekuestrimin e motorit pa targa, në zbatim të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për bllokimin e mjeteve motorike të patarguara, ka ndodhur edhe incidenti i dhunshëm mes familjes prej 5 anëtarësh dhe forcave të Rendit. Burime zyrtare të Policisë thanë se u arrestuan në flagrancë Çlirim, Taip dhe Safije Mata, përkatësisht djali 23 vjeç, babai 54 vjeç dhe nëna 48 vjeçe. Ndërsa ka nisur procedim penal në gjendje të lirë edhe për dy djemtë e tjerë të familjes, Krenar dhe Xhaferr Mata, 28 e 23 vjeç.
Incidenti
Një makinë e Komisariatit Nr.3, me targë Policia 2132, ku ndodheshin dy efektiva të rendit, që mbrëmjen e së dielës ndodhej në shërbim te kryqëzimi i rrugës “Jordan Misja”, i ka bërë shenjë për të ndaluar një të riu që lëvizte me motor pa targa. Por personi që drejtonte motorin, Çlirim Mata, 23 vjeç, nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vazhduar lëvizjen në drejtim të shinave të trenit përgjatë rrugës “Jordan Misja”. Patrulla i është vënë pas, derisa motori është futur në një rrugicë në krahun e majtë të rrugës dhe nga aty ka dalë në rrugën “Don Bosko”, duke ndaluar tek ish-Filanto, pranë shtëpisë ku banonte. Në një kohë që patrulla e Policisë ka kërkuar përforcime nga grupi i gatshëm, në “ndihmë” të 23-vjeçarit që nuk i bindej Policisë, ka dalë fillimisht nëna e tij Safije Mata, 48 vjeçe, e cila ka debatuar ashpër me shërbimet e rendit, duke i fyer dhe kundërshtuar, në mënyrë që të mos i shoqëronin djalin. Më pas situata është tensionuar edhe më shumë, kur edhe babai i tij, Taip Mata, 54 vjeç, i është bashkuar të shoqes dhe djalit, duke kryer të njëjtat veprime kundër Policisë. Për shkak të rrëmujës së krijuar, në vendngjarje kanë shkuar edhe dy djemtë e tjerë të familjes, Krenar e Xhaferr Mata, 28 dhe 23 vjeç, të cilët janë treguar disi më të përmbajtur, por njëkohësisht kanë penguar Policinë në ushtrimin e detyrës. Duke përfituar nga kjo situatë, nëna e djalit të ndaluar, ai vetë, si dhe babai i tij, kanë goditur dy efektivat, më pas kanë thyer të gjithë xhamat e makinës së Policisë, duke e goditur me gurë e sende të tjera të forta.

POSTBLLOKU
Pas një urdhri të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që konsiston në bllokimin e mjeteve që lëvizin pa dokumente, kryesisht motorëve, që shpeshherë përdoren nga autorë veprash kriminale, prej më shumë se një muaji të gjitha komisariatet e Tiranës kanë nisur aksionin për zbatimin e këtij urdhri. Edhe postblloku i së dielës, i pozicionuar në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja”, të cilit nuk iu bind 23-vjeçari, tashmë i arrestuar bashkë me prindërit, kishte për detyrë bllokimin e motorëve pa targa.

PRECEDENTI
Në një situatë të ngjashme, me dhunë ndaj forcave të rendit, që kishin ndërhyrë për të shuar një konflikt mes vëllezërve, ka ndodhur në maj të këtij viti në Babrru të Tiranës. Katër efektiva të Policisë së Kryeqytetit, të cilët ndërhynë për të ndërprerë sherrin ku ata u bënë dëshmitarë, përfunduan vetë në sulmin e vëllezërve, duke u dhunuar nga protagonistët e sherrit. Vëllezërit Suri dhe Pluton Cena, 46 dhe 36 vjeç, të cilët fillimisht po ziheshin me njëri-tjetrin, i janë kthyer 4 efektivave të rendit duke i goditur me grushte e shkelma, më pas edhe me gurë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›