E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet trafiku i ekskavatorëve Brindizi-Vlorë

 

ITALI - Karabinierët italianë kanë zbuluar dje një trafik eskavatorësh dhe mjetesh të tjera të rënda të ndërtimit, ndërmjet provincës së Kuneo-s dhe Shqipërisë. Një 30-vjeçar nga Torino është arrestuar, pasi është zbuluar se i merrte këto mjete me qira, por me dokumente false, dhe pastaj i niste nga Brindisi drejt portit të Vlorës. Automjetet e rënda, të gjitha të reja, me vlerë prej mijëra e mijëra eurosh secila, nuk ktheheshin më pas skadimit të kohës së qirasë. Trafiku është zbuluar rastësisht në portin e Brindisit, kur një ekskavator i ngarkuar mbi një kamion, po nisej drejt Vlorës me dokumente pronësie false. Karabinierët kanë nisur hetimet dhe po mbledhin të dhëna nga pronarët e mjeteve të humbura. Ndërkohë veç kësaj, policia italiane ka kërkuar zyrtarisht ndihmën e policisë shqiptare për të verifikuar të gjitha mjetet e tonazhit të lartë, që kryesisht përdoren për ndërtim, që kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet portit të Vlorës gjatë këtyre muajve të fundit. Ndërkohë sipas mediave italiane mësohet se kanë nisur hetimet edhe për eskavatore dhe makina të tjera që nuk janë kthyer më pas përfundimit të afatit nga koha kur janë marrë me qira. Vlera e makinave arrijnë vlerën e 6 milionë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›