Zgjedhjet, shtohen 812 punonjës
Adi Shkëmbi
Qeveria shton edhe 812 punonjës me kontratë të përkohshme në administratë. Rreth 40 ditë, pasi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua një vendim për punësimin e 1618 punonjësve, në mbledhjen e fundit është miratuar një tjetër vendim, për 812 vende të tjera.
“Këshilli i Ministrave vendosi në vendimin nr. 115, datë 02.02.2009 të Këshillit të Ministrave, të bëhet ky ndryshim dhe kjo shtesë: Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore është 2.430 punonjës, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, thuhet në vendimin i cili mori OK e qeverisë dy ditë më parë.
Vendet e reja
Nga 812 vende të reja pune, 400 prej tyre do të jenë në Shërbimin e Gjendjes Civile. Ministria e Brendshme do të ketë më shumë se gjysma e shtesave të miratuara të premten. “Ministria e Brendshme kërkon të punësojë 516 punonjës me kontratë të përkohshme për vitin 2009, ku pjesa më e madhe prej 400 punonjësish kërkohet në Shërbimin e Gjendjes Civile. Kostoja e parashikuar për vitin 2009 është rreth 253 milionë lekë. Pjesa tjetër prej 162 punonjësish janë të domosdoshëm për kurset që do të zhvillohen në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” dhe për Shtëpinë e Pushimit në Durrës dhe përballohen nga të ardhurat e institucionit. Për punonjësit e zyrës së Gjendjes Civile është parashikuar përjashtimi nga zgjatja e periudhës kohore të kontratave për shkak të specifikimit të kësaj zyre”, thuhet në relacionin e vendimit të propozuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Pas Ministrisë së Brendshme, është Ministria e Mjedisit e cila ka kërkuar të punësojë 140 punonjës me kontratë të përkohshme, të cilët do të shërbejnë si sinjalizues për parandalimin e zjarreve. Në relacion thuhet se fondet për pagat do të përballohen nga fondet buxhetore të miratuara për vitin 2009 të vetë institucionit. “Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kërkon të punësojë 30 punonjës, prej të cilëve 15 do të jenë administratorë të arkivit për një periudhë 6-mujore dhe 15 të tjerë do të jenë me kohë të reduktuar gjatë gjithë periudhës. Fonde për paga do të përballohen nga fondet buxhetore të miratuara për vitin 2009 të vetë institucionit”, thuhet më tej në relacion. Në vendimin më të fundit të qeverisë ka përfituar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili do të ketë një shtesë prej dy punonjësish stenografë për një periudhë vjetore me një kohë mesatare ditore rreth 5 orë. Agjencia kombëtare e shoqërisë së informacionit do të ketë edhe ajo një shtesë prej dy punonjësish dhe këshilli kombëtar i kontabilitetit do të jetë një punonjës jurist më shumë për vitin 2009.
shtesat ne institucione
Emri i institucionit Nr. i punonjësve
Kuvendi 11
Këshilli i Ministrave 1
Ministria e Ekonomisë 44
Ministria e Bujqësisë 213
Ministria e Punëve Publike 803
Ministria e Financave 49
Ministria e Turizmit 22
Ministria e Shëndetësisë 27
Ministria e Jashtme 16
Ministria e Brendshme 562
Shërbimi Informativ Shtetëror 40
Drejtoria e Arkivave 30
Ministria e Punës 83
Ministria e Mjedisit 140
Gjykata Kushtetuese 2
ATSH 3
INSTAT 378
Këshilli i Lartë i Drejtësisë 2
Autoriteti i Konkurrencës 1
Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit 1
Institucione të tjera qeveritare 2
Totali 2430