Tri aktivitete për regjisorin Pasolini
Disa aktivitet artistike i kushtohen sot artistit italian Pier Paolo Pasolini. Një konferencë, një spektakël poetik dhe një ekspozitë fotografike, për të rrëfyer figurën shumëdimensionale të Pasolinit. Konferenca “Pasolini poeta delle ceneri”, në të cilën referon Roberto Chiesi, i dedikohet Pasolinit si poet, gazetar, shkrimtar, piktor e regjisor. Organizatorët (Biblioteka Kombëtare dhe Instituti Italian i Kulturës) e kanë parë këtë konferencë si një mundësi për të thelluar më tej disa motive të veprës dhe mendimit të tij. Roberto Chiesi është kritik kinematografie dhe kurator i Qendrës Studimore “Archivio Pier Paolo Pasolini”, i themeluar nga Laura Betti, aktore dhe mike intime e poetit, pranë Kinostudios se Bolonjës. Spektakli “Pasione-Pasolini” nga Antonio Piovanelli, është autobiografia në vargje të zgjedhura të Pier Paolo Pasolinit. Është një tregim i thjeshtë në skenën e Teatrit Kombëtar. Vetëm dy karrige mbi një platformë dhe një sfond të zi. Trupi i aktorit, veshur në një kostum linoje të bardhë, disi i lodhur, hyn në mënyrë rituale në rrënimin e ditëve, duke treguar pasione politike dhe ushtrimin heroik të përditshëm të vetmisë. Antonio Piovanelli ka frekuentuar shkollën e “Piccolo Teatro” në Milano dhe u diplomua në Qendrën eksperimentale të kinematografisë në Romë. Ka punuar në kinema me regjisorë të njohur, si vëllezërit Taviani, Bernardo Bertolucci, Marco Bellocchio, Giuliano Montaldo e Francesca Archibugi, etj. Prej shumë vitesh interpreton jashtë vendit si aktor-ambasador i poezisë latine dhe italiane, sidomos me vargjet e Catullo, Virgilio, Dante, Alfieri, Pasolini. Ky i fundit është i njohur ndërkombëtarisht më së shumti si regjisor filmash, mes të cilëve “Mama Roma”, “Ungjilli sipas Mateut”, “Medea”, ku interpreton sopranoja e madhe Maria Callas, “Natë arabe”, etj. Pasolini e konsideronte veten si “marksist katolik” dhe përdorte ballafaqime shokuese imazhesh, për të treguar rëndomtësinë e vlerave në shoqërinë moderne. Ndërsa shkrimtari Alberto Moravia e quante atë si poetin më të madh italian të gjysmës së dytë të shek. XX.