Festohet 100-vjetori i Jorgjie Trujës
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së këngëtares lirike Jorgjie Truja u organizua dje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit një aktivitet përkujtimor. Me këtë rast u prezantua edhe libri “Pasioni i një artisteje”, si dhe u shfaq filmi dokumentar “Grykë-argjendta Jorgjia Truja” i realizuar nga regjisori Ylli Pepo. “Emri Jorgjia Truja përfaqëson në brezin e “Yjeve të plejadës së parë të artistëve lirikë shqiptar, një personalitet të veçantë, të kompletuar dhe me diapazon të gjerë të veprimtarie artistike, pedagogjike dhe regjisoriale”,- u shpreh drejtori i TKOB-it Zhani Ciko. Në librin e realizuar nga gazetari Flori Slatina e të mundësuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është pasqyruar një pjesë e përgjithshme e veprimtarisë së panjohur të artistes në vitet 1927-1940. Ajo është spikatur në vitet `30 në fushën e muzikës”. Kryetari i shoqatës Tirana, Arben Tafaj i dorëzoi vajzës së Jorgjia Trujës, një dekoratë mirënjohjeje, me motivacionin për kontributin e dhënë në themelimin e shkollës shqiptare të kantos. Jorgjie Truja lindi në qytetin e Korçës, në vitin 1909 dhe u nda nga jeta në vitin 1994. Ka studiuar në Konservatorin “Santa Cecilia” në Romë në vitin 1927. Jorgjie ka qenë një ndër nismëtaret e hapjes së Liceut Artistik, ku kreu dhe detyrën e pedagoges së kantos dhe dirigjimit. Ka interpretuar në vepra të rëndësishme operistike si “Butterfly”, “Rusalka”, “La Traviata”, “Dasma e Figaros”, etj.