E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet galeria, zë 36-vjeçarin

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Shembet miniera, një person plagoset, ndërsa një tjetër mbetet i bllokuar prej pasdites së djeshme. Ngjarja e rëndë ndodhi në një prej galerive të mbyllura nga ministria se rrezikonte jetën e minatorëve. Deri në mesnatë, fati i Arjan Duvës, 36 vjeç, nuk dihej, ndërsa priteshin që ekspertë të avari-shpëtimit nga Tirana të hynin në thellësitë e tunelit. I vetmi që shpëtoi nga galeria e Zonës së Parë të minierës kryesore të Bulqizës ishte Astrit Kuka, i cili dha dhe alarmin pas shembjes së galerisë. “Unë arrita të largohem, ndërsa Arjan Duva ka mbetur në minierë”, është shprehur Kuka, teksa i nënshtrohej një kurimi intensiv në spitalin e qytetit. Mjekët sqaruan se Kuka është jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Ndërkohë, efektivë të policisë dhe specialistë e drejtues të minierës së kromit Bulqizës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të mundësuar gjetjen dhe shpëtimin e Duvës. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se galeria ishte pjesë e koncesionit të ACR-së, firmës që menaxhon minierën kryesore në këtë qytet. Pas ankesave të shumta të minatorëve, sidomos sindikalistëve dhe kërkesës së drejtuesve e specialistëve, që merren me sigurimin teknik në miniera, ato që paraqesin rrezik për jetën e minatorëve janë mbyllur me urdhër të Ministrisë së Ekonomisë. Duva e Kuka kanë hyrë në galerinë e rrezikshme për të mbledhur krom me vagonë e kafshë ngarkese për t’i shitur më pas në tregun e zi. Ata kanë gërmuar me mjetet e tyre të punës në tavanin e galerisë, por papritur një masiv i paqëndrueshëm është shembur rreth orës 16:00. Astrit Kuka, i ndodhur pak më larg nga vendi i shembjes ka arritur të largohet, ndërsa Arjan Duva për fat të keq është ndodhur më afër shembjes së papritur. Kuka me shpejtësi është munduar të dalë nga galeria, paçka se ka pësuar plagë për shkak të rrëshqitjes së masivit të inerteve, por nuk ka mundur as t’i vijë në ndihmë shokut. Drejtues të minierës dhe policia lokale vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyrat e gërmimit në galeri për të mundësuar shpëtimin e jetës së Duvës. Askush nuk mund të thotë me saktësi nëse ai është i gjallë apo masivi shkëmbor i ka marrë jetën. Në mbrëmje, ekspertët iu drejtuan familjes për leje që të shpërthejnë masivin me dinamit, me qëllim të vazhdojnë të kërkojnë për 36-vjeçarin. Nëse familjarët do të pranojnë, shpërthimi është e vetmja mënyrë për të hapur tunelin e bllokuar nga rrëzimi i gurëve.
Minierat e Bulqizës vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Vetëm vitin e kaluar kanë humbur jetën në minierat e kromit 16 minatorë dhe janë plagosur disa të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›