Zbulohet vrasja e '99, arrestohet lazaratasi
GJIROKASTER - Pas 10 vitesh kapet i dyshuari kryesor i një vrasjeje të ndodhur në qytetin e Gjirokastrës. Policia e qytetit arrestoi mbrëmjen e së premtes 31-vjeçarin Drini Aliko nga Lazarati, pas zbulimit të një krimi të vjetër, i cili i mori jetën Besnik Ibrahimajt. Organet e policore, sipas burimeve zyrtare, kanë mbledhur prova ligjore për të zbardhur vrasjen e ndodhur mesditën e 4 nëntorit të 1999 në lagjen "Punëtori" dhe prangosur autorin e këtij krimi. Aliko mendohet të jetë autori kryesor i vrasjes së ndodhur në 1999 gjatë një përleshjeje me armë mes grupeve rivale nga kjo lagje e banuar nga komuniteti egjiptian dhe disa të rinjve nga Lazarati. Këta të fundit janë konfliktuar me armë dhe fizikisht një ditë para vrasjes së Besnik Ibrahimajt me banorët e kësaj lagjeje për arsye ende të pazbardhura nga organet e drejtësisë. Një ditë më pas, viktima është goditur me armë zjarri disa minuta pasi kishte dalë nga shtëpia. Atë ditë Gjirokastra u shndërrua në një arenë krismash mes grupeve rivale të zonave të lartpërmendura, por ndërhyrja e Policisë së Gjirokastrës, normalizoi situatën vetëm në orët e vona të mbrëmjes së 4 nëntorit, duke krijuar kordonë me policë në zonën, që ndan territorin e qytetit të Gjirokastrës me fshatin Lazarat. p.n