Kapet 21-vjeçari me gjysmë kile hashash
TIRANE - Pranga të riut me gjysmë kilogrami hashash. Policia e kryeqytetit pohoi dje se mbrëmjen e së premtes kishte prangosur në flagrancë 21-vjeçarin Edmond Xhepa. Burime zyrtare të policisë pohojnë se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të premtes u krye arrestimi në flagrancë nga seksioni Kundër Drogës pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, i shtetasit Edmond Xhavit Xhepa, 21-vjeç, lindur dhe banues në zonën "Nish Tulla". Të njëjtat burime pohojnë se prangosja e tij u krye sepse dje rreth orës 22:15, te sheshi "Rilindja", ku u kap në flagrancë, me një qese, ndërsa brenda saj ndodhej një sasi e dyshuar si lëndë narkotike, e llojit "Cannabis Sattiva". Pas verifikimeve të kryera në komisariat, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 494 gramë lëndë e dyshuar si hashash si dhe një telefon celular tip "Nokia", të cilat i posedonte i arrestuari në momentin e arrestimit. Ende nuk bëhet e ditur se cili ishte qëndrimi i të arrestuarit përballë akuzës, ndërsa pohohet se materialet hetimore në ngarkim të tij i janë kaluar prokurorisë, për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".