Gjykata e Lartë vendos: Seanca e parë për Gërdecin më 4 maj
TIRANE - Ora 13:20 e 4 majit do të jetë momenti kur 29 të pandehurit e dosjes "Gërdeci", mes të cilëve edhe ish-ministri Fatmir Mediu, do të zënë vend në bankën e të akuzuarve në një nga sallat e Gjykatës së Lartë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të kësaj gjykate. Sipas burimeve mësohet se kolegji penal që do të shqyrtojë dosjen në ngarkim të personave të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë, ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën 300 të tjerë ka caktuar 4 majin si ditën që do të zhvillojnë seancën e parë. Vetëm një orë pas mesditës pesëshja gjykuese e kësaj dosje me relator gjyqtaren Majlinda Andrea do startojë procesin me numrin më të madh të pandehurve të gjykuar deri sot në gjykata shqiptare. Ndërsa, Gjykata e Lartë ka caktuar datën për nisjen e shqyrtimit të dosjes së tragjedisë, duket se zgjedhjet e qershorit do të ndikojnë jo pak në vijimësinë e këtij procesi gjyqësor. Kjo jo vetëm për volumin e madh që ka kjo dosje, ku vetëm leximi i kërkesës për gjykim me 167 faqe do të kërkonte më shumë se një seancë, apo për numrin e madh të të pandehurve. Së bashku me fashikullin me provat e mbledhura kundër të akuzuarve për tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec, organi i akuzës depozitoi në Gjykatën e Lartë edhe listën e dëshmitarëve, që do të paraqiten në gjykatë gjatë procesit. Sipas burimeve nga Gjykata e Lartë mësohet se në listën e personave, që janë kërkuar për t'u marrë në pyetje gjatë gjykimit, janë edhe dy ministra të Qeverisë. Deklarimet e tyre në gjykatë si dëshmitarë në proces, përpara datës së zgjedhjeve mund të japin ndikim negativ në elektorat. Besohet se kjo do të ndikojë në mënyrë të ndërsjellë, që procesi të "zvarritet" deri pas zgjedhjeve. Dosja hetimore për tragjedinë e shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec mbërriti në Gjykatën e Lartë më 13 mars, vetë dy ditë para se të mbushej një vit nga tragjedia. Të pandehurit e kësaj dosje janë 28 persona mes të cilëve ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-drejtori i "Meico"-s Ylli Pinari, administratorin e "Albademil" Mihal Delijorgji, ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxolli si edhe shoqëria "Albademil", si person juridik. Akuzat të cilat rëndojnë mbi të pandehurit janë: "Shpërdorim detyre në bashkëpunim", "shkatërrim prone", si dhe për katër prej tyre ajo e "vrasjes masive". ar.ba