E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i bashkiakëve, akuza: U implikuan nga përgjimet

 

DURRES/ OERD ULQINI

Gjykata e Faktit të Durrësit ka rrëzuar kërkesën për liri të pesë të prangosurve të operacionit "Zbatica". Rexhep Bulku, Lutfi Dervishi, Bashkim Maloku, Luan Shaba dhe Fetah Mataj do të qëndrojnë pas hekurave, në dispozicion të hetimit. Kështu vendosi trupi gjykues i kryesuar nga Markelian Koça, në seancën për kushtet e verifikimit. Gjatë leximit të akuzës prokurori i çështjes, Arjan Ndoja, bëri me dije provat që disponon prokuroria, të cilat sollën edhe finalizimin në fshehtësi të operacionit "Zbatica". Bëhet fjalë për përgjime telefonike, filmime dhe fotografi të fshehta, sipas të cilave zbardhet mekanizmi i korrupsionit. "Karremi" që ka çuar në zbërthimin e rrjetit ka qenë sekseri Fetah Mataj. Telefoni i tij mbahej nën përgjim nga periudha korrik 2008-janar 2009. Këto fakte që drejtësia i siguroi nga përgjimi telefonik i sekserit Mataj, sollën edhe kërkesën për përgjim të katër të tjerëve që nga janari e deri në mars 2009. Në dëshminë e lexuar nga Ndoja thuhet se, pas verifikimeve u vu re se në këto takime dhe biseda që janë përgjuar dhe filmuar zbulohet edhe roli i katër të arrestuarve të tjerë. Prokuroria mbrojti pretendimin e saj se gjithçka është kryer mes të pestëve në bashkëpunim. "Kemi përgjuar biseda, ku në këmbim të një lejeje karburanti dhe disa objektesh të tjera, bisedat e Fetah Matajt, koordinoheshin me ato të Rexhep Bulkut, Lutfi Dervishit, Luan Shabës dhe Bashkim Malokut", tha përfaqësuesi i akuzës. Mjaft i fortë ka qenë reagimi i avokatëve. "Arrestimet janë masë ekstreme. Nuk ka prova të vërteta, pasi bëhet fjalë vetëm për copëza të shkëputura bisedash. Ato përgjime mund të komprometojnë gjithsecilin nga ne, në jetën tonë të përditshme, kur e përdorim celularin. Varet se si interpretohen, pasi shpeshherë kjo lloj metode komprometon të pafajshmit", tha avokati i Rexhep Bulkut. Sipas palës mbrojtëse, përderisa të ashtuquajturat prova që nxjerr Prokuroria janë vetëm dyshime është e jashtëligjshme mbajtja e këtyre personave në burg. Madje, avokati është shprehur ashpër ndaj mënyrës së arrestimit të funksionarëve të bashkisë. "Ata u arrestuan në mes të ditës, në krye të detyrës, në një vend publik dhe për më tepër nga njerëz me maska. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit", foli në seancë mbrojtja e ish-kryepolicit bashkiak. "Rexhep Bulku është dhe ka qenë gjatë të gjithë karrierës së tij 30-vjeçare një oficer karriere në polici. Ai ka pasur gjatë të gjithë jetës detyra nga më të lartat shtetërore dhe ju nuk mund ta trajtoni njëlloj me atë kriminelin që vrau dy policët në veri. Askush nuk ka gojë të thotë në Durrës se i dhashë para Rexhep Bulkut, pasi ai gjatë të gjithë jetës ka qenë i ndershëm. Duhet ta lini të lirë atë, pasi klienti im nuk paraqet asnjë rrezikshmëri", tha avokati mbrojtës i Rexhep Bulkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›